Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci tha se nxënësit e klasës së parë në shkollat e dy shteteve, Shqipëri dhe Kosovë nga ky vit do të mësojnë me një abetare të përbashkët.
Nagavci përmes konferencës për media ka thënë se kanë përfunduar të gjitha procedurat e abetares së përbashkët.
Ajo tha se nga 1 shtatori së bashku me ministren e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Evis Kushi do ta përurojnë abetaren e përbashkët të dy shteteve.
“Sa i përket abetares së përbashkët, edhe për këtë kanë përfunduar të gjitha procedurat. Kemi kërkuar nga shtëpia botuese që kopja digjitale të dërgohet në shkolla, në mënyre që mësuesit e klasës së parë të përgatiten dhe të punojnë suksesshëm me këta nxënës. Uroj që mos të kemi probleme serioze dhe më 1 shtator, vogëlushët e klasës së parë, të kenë abetaren në duart e tyre. Kemi planifikuar që ministrja e arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Evis Kushi ka shprehur gatishmërinë dhe dëshirën që të jetë më 1 shtator këtu, në Kosovë që të përurojmë bashk këtë abetare”, tha ajo duke shtuar se “Njëjtë të jemi dhe ne në fillimin e vitit të ri shkollor, në Shqipëri duke u siguruar që edhe atje vogëlushet do ta kenë abetaren e re dhe do të punojnë me të njëjtën tekst që nga klasa e parë”.