11:33 – Fillon takimi i Vuçiqit me serbët e Kosovës
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është duke e mbajtur takimin me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova me të cilët po diskuton për takimin e së enjtes në Bruksel.
Në takim po marrin pjesë përfaqësuesit e Listës Serbe si dhe kryetarë të komunave në veri si dhe kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, njofton KlanKosova.tv.
Më pas kreu i shtetit serb do të mbajë fjalimin e paralajmëruar që nga e enjtja kur edhe u takua në kryeqendrën evropiane me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi.
09:27 – Ky ishte takimi i fundit i Vuçiqit me serbët e Kosovës, ja çka i pati kërkuar
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot pritet t’i takojë serbët e Kosovës, takimin ai e ftoi nga Brukseli të enjten.
Vuçiq do të takohet me përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të serbëve nga Kosova, liderët e Listës Serbe, të gjithë kryetarët serbë, kryetarët e rretheve, drejtorët e spitaleve.
Takimin e fundit me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, Vuçiq e pati më 22 mars të këtij viti, ku temë diskutimi patën mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare serbe të 3 prillit.
Vuçiq pas takimit kishte deklaruar se serbët e Kosovës do të votojnë në vendvotimet e vendosura për ata në Serbi.
Kosova e kishte refuzuar edhe propozimin e shteteve të Quint-it të cilët kishin bërë thirrje që zgjedhjet të mbaheshin në Kosovë, por Qeveria kishte vendosur që serbët të votojnë me postë ose fizikisht në qytetet e Serbisë.
Kurti tha se ai ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në Kosovë. Ai tha se Beogradi nuk ka pranuar që Qeveria e tij t’i dërgojë kërkesë ekzekutivit kosovar, por ka tentuar që këtë ta bëjë në nivel të zyrtarëve ndërlidhës.
08: 21 – Si i ftoi Vuçiq nga Brukseli serbët e Kosovës në takim urgjent?
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq sa ishte duke zhvilluar bisedime me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti të enjten në Bruksel gjeti kohë t’i ftojë serbët e Kosovës në takim.
Në takim ai i ftoi të gjithë përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të serbëve nga Kosova, liderët e Listës Serbe, të gjithë kryetarët serbë, kryetarët e rretheve, drejtorët e spitaleve.
Bisedimet e së enjtes mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të Brukselit nuk prodhuan asnjë marrëveshje në mes të palëve.