Tekniku shkupjan i Gjilanit, Zekirija Ramadani, theksoi pas ndeshjes se Gjilani po arrin suksese grupore.
Ramadani pasi mposhti skuadrën e Malishevës në Gjilan me rezultatin minimal 1:0, falënderoi edhe të pranishmit në fushë, pavarësisht reshjeve të mëdha të shiut.
“Jam shumë i lumtur, por kjo është meritë e gjithë skuadrës. Në këtë fushë duhet shpenzuar shumë energji. Në pjesën e parë dominuam me lojë e me posedim topi. Kishim penallti, por nuk jemi as të parët e as të fundit që humbim penallti. Reshjet e shiut na vështirësuan punët si neve ashtu edhe kundërshtarit. E deshëm fitoren, e kërkuam dhe e morëm. I uroj të gjithë për fitoren dhe i falënderoj në veçanti tifozët ‘Skifterat’, pasi kur të gjithë hymë brenda, ata qëndruan në tribuna pavarësisht shiut të madh”, tha ai.