Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë adresimit për takimin në Bruksel tha se ishte Bashkimi Evropian ai që erdhi me katër propozime për marrëveshjen për lirinë e lëvizjes.
Kurti tha se për palën kosovare opsioni më i pranuar do të ishte heqja e plotë e dokumenteve për hyrje-dalje në të dy vendet.
“Ky opsion më i pranuar pra do të reflektohej jo vetëm me heqjen e dokumenteve, por edhe për stikersat, njohja reciproke si letërnjoftimet, patentë-shoferët. Madje, kemi hedhur edhe idenë që të njihen të gjitha dokumentet, pse të mos njihen. Pozicioni ynë në këtë temë është evropian. Është pozicion që i shmang zgjidhjet ad-hoc, që përgjithësisht janë gjysmake”, është shprehur Kurti.
Tutje, ai tha se kjo nuk nënkupton njohje reciproke mes palëve, pasi që sipas tij, fakti që Kosova e Serbia kanë raport reciprok për targat, kjo nuk i bie që kanë njohje reciproke.