Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, përmes një postimi në profilin e saj në Facebook ka reaguar lidhur me padinë që Asociacioni i Komunave të Kosovës ka parashtruar ndaj MASHTI-t për shkak të kontratës kolektive, raporton Gazeta Enigma.
Sipas ministres Nagavci për çështjen e padisë nga AKK-ja ndaj Ministrisë së Arsimit e ka kuptuar nga mediat.
‘’Nga mediat jam informuar se disa komuna kanë ushtruar padi ndaj Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për shkak të dëmit që u është shkaktuar nga zbatimi i kontratës kolektive për sektorin e arsimit’’, ka shkruar ajo.
‘’Prej vitit 2014 janë nënshkruar tri kontrata kolektive në mes të MASHTI dhe SBASHK, të trija në prag të procesit zgjedhor dhe asnjëra prej tyre nga qeverisja e LVV’’, thuhet në postimin e saj.
Tutja Nagavci ka theksuar se ‘’për asnjërën nga këto kontrata kolektive nuk është bërë vlerësimi i ndikimit financiar dhe asnjëra prej tyre nuk është regjistruar në Ministrinë e Punës, siç parasheh legjislacioni në fuqi’’.
Në lidhje me këtë çështje ministrja Navagci ka bërë edhe disa sqarime.
-‘’Për sqarim kontrata e parë në vitin 2014 është nënshkruar në mes të ish-ministrit të Arsimit, Ramë Buja dhe kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj. Atë kohë, ishte Qeveria PDK-LDK kurse ministër i Financave, Bedri Hamza’’.
-‘’Kontrata e dytë e vitit 2017, nënshkrues të kontratës kanë qenë ish-ministri i Arsimit, Arsim Bajrami dhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj. Atëkohë ka qenë Qeveria PDK-LDK kurse ministër i Financave, Avdullah Hoti’’.
-‘’Kontrata e tretë e vitit 2021. Nënshkrues të kontratës kanë qenë ish-ministri i Arsimit, Ramë Likaj dhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj. Ka qenë Qeveria LAN m( LDK-AAK-NISMA) dhe ministre e Financave, Hykmete Bajrami’’, ka theksuar Nagavci.