Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka dalë në përkrahje të grevës së punëtorëve të sektorit publik.
Haradinaj me anë në të një reagimi publik ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se nuk duhet t’iu lihet faji punëtorëve dhe se ky është i vetmi mjet që e kanë ata në dorë.
“Kryeministër mos e kërko fajin te punëtorët por te vetja jote. Ka më shumë se një vit e gjysmë që ti tallesh me ta, për të mos thënë se po i vjedhë ata. Punëtorët janë në të drejtën e tyre dhe grevat janë mjeti i vetëm që u ka mbetur në dorë, sepse kriza ekonomike e sociale ju ka mbërritur në asht”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ai ka kërkuar që me urgjencë të miratohet Ligji i Pagave.
“Ju kryeni punën tuaj. Miratojeni me urgjencë Ligjin e Pagave dhe reflektoni ndryshimet që kanë ndodhur. Ligji duhet të reflektojë rritjen enorme të çmimeve dhe inflacionin, që zyrtarisht ka mbërritur në 19.2 për qind. Çdo formulë tjetër do t’u kthehet në bumerang. Është sosur durimi”, ka përfunduar ai.
Ndryshe, nga sot është duke u mbajtur grevë në sektorin publik, ndërsa mësimdhënësit do të jenë në vende të punës, por nuk do të kryejnë asnjë detyrë që do ta kryenin në rrethana normale.