Nga muaji kaluar dy nga gjashtë ashensorët nuk janë funksional në Spitalin Regjional të Gjilanit për shkak të problemeve teknike. Si pasojë, trupat e kufomave familjarët detyrohen t’i bartin me dorë në mungesë të një alternative tjetër, shkruan Gazeta Enigma.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar drejtori Spitalit, Arsim Emini, për Gazetën Enigma.
‘’Në objektin numër një të spitalit në Gjilan janë dy ashensorë, njëri është 320 kilogramësh dhe tjetri është 1000 kilogramësh. 320-shit i është djegur motori muajin e kaluar, ndërsa 1000-shit i ka rrjedhur vaji, ka dëmtim në motor nga fillimi i këtij muaji’’, ka deklaruar ai për Enigmën.
‘’Pra, kemi mbetur pa asnjë ashensorë funksional për momentin në objektin numër një. Përndryshe në objektet tjera i kemi katër ashensorë që janë në funksion’’, tha ai.
Lajmi që Spitali i Gjilanit ashensorët i ka jashtë funksionit u bë e ditur përmes aktorit Fatmir Spahiu, i cili në profilin e tij në Facebook, kishte njoftuar për humbjen e një familjari të tij dhe kishte rrëfyer për ngjarjen e familjarëve të tyre dhe për gjendjen në të cilën ishte ky spital.
Bufi thotë se daja i tij i ndjerë u bart si leckë shkallëve të spitalit
Si pasojë e ashensorit që ishte jashtë funksionit, Bufi thotë se daja i tij u bart si leckë në aktin final të jetës, teksa për stafin shëndetësor nuk ka thënë ndonjë kritikë.
Emini, e ka konfirmuar se ngjarja ka ndodhur ashtu edhe siç ka rrëfyer aktori nga Gjilani.
‘’Rasti i cili u publikua nga aktori Fatmir Spahiu është i vërtet’’, ka shtuar Emimi.
Ai ka theksuar se pas këtij rasti ashensori është duke funksionuar edhe me defektin që e ka për raste emergjente.
‘’Kështu që vetëm për raste emergjente kemi vendos me e përdor, dhe në këto raste duhet të jetë prezent edhe një përfaqësues nga kompania që bënë mbikëqyrjen e tyre’’, tha ai.
Pra ‘’ky ashensori që është 1000 kilogramësh prej kompanive që merren me servisimin e tyre na është thënë se nuk guxojmë me e përdorë për shkaqe sigurie, që mos të ketë edhe ndonjë problem më të madhe’’.
Sipas Eminit, ‘’ashensori mund të përdoret vetë në raste emergjente ose vdekje deri në katin e tret dhe anasjelltas, por që patjetër të jetë prezent edhe një përfaqësues nga kjo kompani’’.
‘’Pas këtij rasti ne jemi shtrënguar për t’i kryer rastet emergjente në bashkëpunim me kompaninë që e ka kontratën për servisimin e ashensorëve’’.
Para këtij rasti, sipas Eminit nuk është përdorur ashensori as për raste emergjente.
‘’Më herët jo sepse na është thënë se nuk është i sigurt, ai edhe më tutje nuk është i sigurt’’, ka deklaruar ai.
Ai ka potencuar se në lidhje me këtë çështje i ka dalë në ndihmë drejtoria e ShSKUK-së, dhe se së paku njëri ashensorë brenda 7 ditëve të bëhet funksional.
‘’Ne tani e kemi bërë një porosi emergjente, ku në ndihmë na ka dal edhe drejtoria e SHSKUK-së ku edhe është bërë porosia. Motorët priten që të vijnë brenda 7 ditëve, ashtu na është premtuar që së paku njëri ashensorë të bëhet funksional që të mos kemi këso probleme’’, ka përfunduar Emini.
/Gazeta Enigma/