I dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka folur në lidhje me deklaratën e ambasadorit Hill se pala kosovare ishte e papërgatitur për dialog.
I pyetur nëse kjo ishte edhe përshtypja e tij ai është shprehur se negociatat janë aktualisht në një fazë shumë të ndjeshme dhe se nuk dëshiron ta fajësoj askënd.
“Negociatat janë aktualisht në një fazë shumë të ndjeshme. Pra, nuk dua të fajësoj askënd, sepse, të jem i sinqertë, gjithçka filloi në Bruksel dhe mendoj se kemi bërë një rrugë të gjatë që atëherë. Përderisa kemi një zgjidhje paqësore, të zbatueshme dhe të realizueshme, e cila nuk e ndërlikon jetën e qytetarëve të Kosovës, veçanërisht atyre në veri të Kosovës, nuk mendoj se do të kemi problem. Edhe unë jam optimist, besoj se do t’ia dalim”, ka thënë ai.
I pyetur se si ka mundësi që prezenca e tij nuk e ka inkurajuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin që të jetë më fleksibël, pasi Amerika është një partner i rëndësishëm i Kosovës, Escobar tha se e kanë inkurajuar Prishtinën që të jetë konstruktive dhe se e ka parë që kishte vullnet rreth kësaj.
“E shihni, ne jemi një partner i rëndësishëm dhe ata janë partnerët tanë, kështu që ne kemi vërtet dialog të hapur me Kosovën. Dhe ne i inkurajuam ata të jenë më fleksibël dhe konstruktivë. E pashë që ka vullnet të mirë. Ata kanë shqetësimet e tyre, kështu që ne e morëm këtë parasysh. Ne do të vazhdojmë të mbështetemi në partneritetin tonë me Kosovën, por edhe në vullnetin e mirë dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë. Dhe për këtë dua të theksoj qartë: pas këtyre ditëve ka vend për optimizëm”, tha ai për N1.