Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi të shtunën se festivali EuroPride nuk do të mbahet në Beograd siç ishte planifikuar muajin e ardhshëm për shkak të “krizës së rëndësishme në Kosovë”, raporton Politico.
Njoftimi habiti organizatorët e festivalit, që ishte planifikuar për 12-18 shtator në kryeqytetin serb. EuroPride, përmban një paradë Krenarie, është një ngjarje e organizuar në mënyrë të pavarur që organizohet në një qytet të ndryshëm çdo vit, ku qyteti pritës zgjidhet ose për rëndësinë e tij politike ose për madhësinë e komunitetit LGBT.
“Ne ishim të tronditur nga ky njoftim”, tha Marko Mihailoviq, një organizator i paradës së Krenarisë së Beogradit.
“Kjo është një humbje për Serbinë”, tha Mihailoviq për POLITICO të shtunën. “Tani kur kemi një ngjarje të përmasave evropiane të organizuar në Beograd dhe shumë njerëz kanë njoftuar pjesëmarrjen e tyre dhe kanë blerë bileta, ajo është duke u anuluar.”
Vuçiq tha se ai “nuk është i lumtur për” vendimin për të anuluar EuroPride, “por ne nuk mund t’i bëjmë të gjitha menjëherë”.
“Sigurisht që kjo i rrezikon të drejtat e pakicave dhe kjo është një problem për ne, por në këtë moment shteti është nën presion nga të gjitha llojet e problemeve”, tha Vuçiq.