Peci për subvencionet: Për dy javë kemi shpërndarë 24.9 milionë euro për bujqit e Kosovës

Peci për subvencionet: Për dy javë kemi shpërndarë 24.9 milionë euro për bujqit e Kosovës

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, përmes një konference për media ka njoftuar se për dy javë kjo ministri ka proceduar për pagesë 24.9 milionë euro për bujqit përfitues në kuadër të Programit për Subvencione.

“Që nga data 16 gusht e deri më sot, nga mjetet e ndara nga subvencionet kanë përfituar 16,593 aplikues. Ndërsa, edhe ditëve në vijim do të vazhdojmë me procesimin e mjeteve për përfituesit e tjerë në kuadër të këtij programi, deri në përfundim të plotë të të gjithë atyre që përfituan nga fondet e MBPZhR-së nga ky program”, tha Ministri Faton Peci në hyrje të fjalimit të tij.

“Javën që lam pas është mbyllur procesi i aplikimit për programin e zhvillimit rural apo siç njihet programi i granteve, në bashkëpunim me përfaqësuesit e shoqërisë civile ne kemi bërë një shpallje publike, të hapur për të gjithë përfaqësuesit e shoqërisë civile, njohës të fushave të cilët dëshirojnë të japin kontribut dhe ne i ftojmë që të jenë pjesë e procesit të monitorimit në programin i cili hap një shifër mbi 26 milionë euro në kuadër të programit të granteve”, u shpreh ai.

“Kam potencuar se java e tretë e gushtit do të jetë javë e fillimit të procesimit të mjeteve në kategorinë e subvencioneve dhe ne tashmë kemi filluar për një periudhë dy javore ne kemi arritur që të distribuojmë gjithsej një shifër monetare prej 24.9 milionë euro për bujqit e Republikës së Kosovës të cilët kanë aplikuar në programin e pagesave direkte për vitin 2022. Gjithsej përfitues deri në këtë fazë janë 16 mijë e 593 aplikues”, tha ai.

Tutje, Peci është shprehur se ka filluar procesi i pagesave direkte.

“Ne kemi filluar procesin e pagesave direkte, mirëpo me qëllim që të mos vonohemi në proces të distribuimit të mjeteve kemi përcaktuar datën 2 shtator, në të cilën të gjithë fermerët që janë kutivues të kulturës së grurit, për shkak se programi për pagesa direkte për vitin 2022 në kategorinë e kulturës së grurit është një përkrahje e katërfishtë”.

“Sa i përketë rendimentit apo përkrahjes me 3 cent për secilin kilogram të grurit ne kemi caktur datën 2 shtator, andaj të gjithë fermerët që kanë qenë kultivues të grurit të deponojnë dëshmitë e tyre tek drejtoritë komunale për bujqësi, deri me datën 2 shtator dhe atë dëshmi ta procedojmë në ministrinë e bujqësisë dhe ne do të realizojmë një pagesë të veçantë për të gjithë ata fermerë që vendosin të deponojnë sasitë e grurit tek mullistët”, është shprehur ai.

Related Articles