Në drejtim të një grupi rreth 50 personave pjesë e “Kosovo Mountain Club”, janë shkrepur dje disa plumba në zonën e Zubin Potokut.
Megjithatë, policia e Kosovës sot ka njoftuar se edhe përkundër kërkimeve në terren, policia nuk ka arritur të gjej prova materiale përkatësisht gëzhoja të armës së shkrepur.
Por, Adnan Beqiraj udhëheqës i këtij grupi, ka treguar në emisionin Frontal, se pas orës 14:00 policia ka gjetur disa gëzhoja.
Ai ka treguar sa ka qenë bashkë me policinë e Zubin Potokut dhe zyrtarë nga Prishtina për të kërkuar gëzhojat.
Sipas tij, policia ka gjetur 3-4 gëzhoja në vendin e ngjarjes.
“Pas orës 14:00 policia i ka gjetur gëzhojat, ata janë duke e bërë egzaminimin. Unë kam shkuar për të ja treguar vendin atyre, Policët ishin të Prishtinës, ishte edhe Zubin Putokut. Unë isha i shoqëruar nga ata të Prishtinës, dhe u dëshmua se ato gëzhoja janë të kallashit dhe u vërejtën që janë të ditës së djeshme. Ata i panë 3-4 gëzhoja, por me siguri i kanë larguar nga vendi i ngjarjes, por pastaj kanë mundur të gjejnë edhe tjerë”, ka deklaruar ai.
Përndryshe, ai ka thënë se kanë njoftuar policinë për ecjen e djeshme, por që sulmi ndaj tyre mund të ketë qenë i planifikuar.