Ministri për Punë të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas raportimeve për përdhunimin e 11 vjeçares në Prishtinë nga pesë persona, duke thënë se janë arrestuar edhe dy persona të tjerë lidhur me rastin, pas arrestimit të dy të tjerëve gjatë ditës.
Sveçla ka thënë se nga Policia e Kosovës ka kërkuar angazhimin maksimal për arrestimin e të gjithë kryesve të krimit.
Deri tani nga Policia janë arrestuar dy persona të dyshuar.
“Me shqetësim kam pranuar lajmin për dhunimin e një vajze të mitur, 11 vjeçare, nga 5 persona për disa orë me radhë. Jam i vetëdijshëm për shqetësimin e drejtë të secilit prind e secilës vajzë në vendin tonë. Nga Policia e Kosovës kam kërkuar angazhim maksimal për arrestimin sa më të shpejtë të të gjithë kryesve të këtij akti makabër dhe sapo u njoftova se janë arrestuar edhe 2 të tjerë. Koordinimi i të gjitha organeve kompetente është i domosdoshëm sepse nuk ka asnjë dilemë që dënimi ndaj këtyre kriminelëve duhet të jetë maksimal”, ka shkruar Sveçla.
Ministri Sveçla ka thënë se nuk duhet dhe nuk do të tolerohet asnjë veprim që cenon jetën, integritetin dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve.
“Vendi ynë duhet dhe do të jetë vend i sigurtë për të gjithë, sidomos për vajzat dhe gratë, dhe nuk ka asnjë alternativë tjetër”, ka shkruar ai në fund.