A ka të drejtë ministri Murati që grevistëve t’ua pezullojë mëditjet në paga?

A ka të drejtë ministri Murati që grevistëve t’ua pezullojë mëditjet në paga?

Ministri i Financave, Hekuran Murati po tenton të ngulfas zërin sindikal”.

Kështu tha kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Rrahman Jashari. Ky i fundit bëri të ditur se do të ngritet padi ndaj deklaratës së ministrit Murati, i cili tha se do të pezullohet mëditja në paga për sindikalistët që po protestojnë, shkruan Gazeta Enigma.

A ka të drejtë ministri Murati t’ua pezollujë mëditjet, apo ishte vetëm paralajmërim frikësues?

Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha për Gazetën Enigma se në asnjë rrethanë nuk guxon që ligjet të interpretohen në këtë mënyrë që grevistëve tu ndalohet pagesa.

“Duhet theksuar faktin se për këto arsye në asnjë rrethan nuk guxon që ligjet të interpretohen në këtë mënyrë që grevistëve t’u ndalohet pagesa”.

Sipas Shalës “Ligji në të cilin thirret aktualisht Ministria e Financave është qe një kohë të gjatë në fuqi dhe i njëjti asnjëherë nuk është interpretuar në këtë mënyrë dhe për këtë arsye kjo situatë është parë me shqetësim dhe si përfundim ministria duhet të tërhiqet nga ky lloj interpretimi dhe jo t’i kërcenojë grevistët”.

Ai thekson se nëse ndaj grevistëve merren masat të kësaj natyre për shkak të pjesëmarrjes në grevë, atëherë sipas tij grevës i humb kuptimi.

“Nëse ndaj grevistëve merren masat të kësaj natyre për shkak të pjesëmarrjes në grevë, atëherë kemi të bëjmë me një situatë ku pikërisht grevës i humb kuptimi dhe për këtë arsye nuk mund të paramendohet një grevë e kësaj natyre dhe një vullnet për të mbajtur grevë nëse punëtorët sanksionohen”, theksoi ai.

Çka nëse sindikalistët e padisin Ministrinë e Finanave dhe ministrin Murati?

Në këtë pikë, Shala shpjegon se sindikalistët duhet t’i ndjekin rrugët e tyre ligjore, mirëpo sipas tij ndjekja e rrugëve ligjore mund t’i ketë konsekuencat e veta.

“Sindikalistët duhet t’i ndjekin rrugët e tyre lirgjore, mirëpo prap se prap ndjekja e rrugëve ligjore mund t’i ketë konsekuencat e veta, siç janë; zvarritja deri në një periudhë të caktuar, për shkak të mungesës së efikasitetit të gjyqësorëve dhe çështje të tjera të kësaj natyre të cilat e rëndojnë procedurën e të drejtave nga ana e punëtorëve”, tha Shala.

Mes tjerash, Shala si përfundim bën thirrje se para se të shqyrtohet kjo mundësi, sipas tij Ministria e Financave duhet të tërhiqet nga ky qëndrim dhe opinion i tillë.

“Për këtë arsye para se të shqyrtohet kjo mundësi, Ministria e Financave duhet të tërhiqet nga ky qëndnrim dhe opinion të tillë të ligjit, në mënyrë që kjo mos të përdoret në përceptimin e publikut si një lloj ndëshikimi ndaj grevistëve”, përfundoi Shala.

Çfarë deklaroi ministri Murati, e çka sindikalistët?

Ministri i Financave Hekuran Murati ka “kërcënuar” BSPK-në dhe SBASHK-un me pezullim të pagave në rast se vazhdojnë grevën.

Ai, në një konferencë për media të hënën e 29 gushtit, ka thënë se është e drejtë e secilit për të protestuar ose për të hyrë në grevë, përveç disa kategorive, e që sipas tij kushdo që hynë në grevë gjatë kohës sa vazhdon ajo, paguhen nga fondi i sindikatave e jo nga shtetit.

“Bazuar në konventat dhe praktikat evropiane grevistët nuk paguhen nga punëdhënësi, por nga fondi i sindikatës… kemi rastin e fundit në Britani të Madhe ku protestuan punëtorët e hekurudhave vetëm për 12 ditë, se kaq kishte fonde për pagesë sindikata”, ka thënë ai ndër të tjera.

Sipas tij, grevë nuk duhet të ketë meqë qeveria ka proceduar Ligjin për Pagat e Zyrtarëve Publikë.

“Ligji për pagat është në konsultim të brendshëm dhe së shpejt shkon në Kuvend kurdo që Kuvendi të kthehet. Duhet të ndalen shantazhet dhe kërcënimet nga BSPK dhe SBASHK për grevë. Sot pash në ministri një nënë që kishte marrë fëmijën me vete për shkak se çerdhet janë në grevë”, ka thënë ai.

Madje, sot qeveria ka kërkuar listën e grevistëve për të ndërmarrë masa ndaj tyre.

LEXO EDHE: Qeveria Kurti: Duam listën e pagave të grevistëve

Ndërsa, Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës, Rrahman Jasharaj, kryetar i Këshillit grevist të BSPK-së në një konferencë për media ka paralajmëruar padi ndaj ministrit Hekuran Murati, duke e  quajtur skandaloze deklaratën se do t’i pezullojë mëditjet nga paga për grevistët.

Jasharaj në këtë konferencë për media tha se deklarata e tillë skandaloze ka tendenca të ngjallë frikë dhe të shtypë zërin sindikal.

“…Një letër që doli nga u.d i sekretarit ja falëm por kur doli zotëri Hekuran Murati që e kemi lutur me muaj të tërë për dialog dhe tha se paska guxim të tnetoj të ngulfat zërin sindikal… ai si duket nga krenaria nuk e ka lexuar Ligjin për grevat…. grevat e ligjshme i garanton ligji dhe nuk ka të drejtë asnjë cent t’ia ndal grevistëve”, tha Jasharaj.

“E kemi vlerësuar deklaratën e Muratit dhe ka krijuar shqetësime dhe ne do të kemi reagimin me kohë dhe ekspertët e fushës së drejtësisë janë në konsultime dhe do të insistoj të përgatitet lënda dhe do të drejtohet ndaj ministrit Hekuran Murati…. i cili në vend që të jetë zë i qeverisë për uljen e tensioneve ai kërcënon për të frikësuar dhe ngulfatur zërin e grevistëve.

I kujtoj Hekuranit që është në moshë të re se gjëra të tilla nuk kanë ndodhur që nga paslufta”, tha kreu i SBASHK-ut.

Ndryshe, edhe Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovë (AKK) ka kërkuar që problemi rreth grevës në arsim dhe administratë të zgjidhet në nivel nacional, sepse ky problem është nacional e jo lokal.

Sipas tyre, zgjidhja e këtij problemi nuk mund të bëhet  nëpër komuna veç e veç.

“Bordi i AKK-së kërkon që sa më parë palët e involvuara në këtë çështje të fillojnë dilalogun në mënyrë që të mos pësojnë nxënësit dhe qytetarët duke mos pranuar shërbime nëpër komuna e në veçanti tash kur është urgjente legalizimi i objekteve pa leje sepse afati përfundon më 04 shtator 2022 si dhe shërbimet urgjente ndaj diasporës tonë të nderuar e që iu nevoiten për udhëtim”, thuhet në njoftimin e tyre.

Ndërkaq, bordi i AKK-së konsideron që kompetencat sa i përket punëtorëve arsimor (parauniversitar) u takojnë komunave dhe për këtë arsye kërkojnë që presioni i Qeverisë për të marrë listën e punëtorëve grevist përmes shkresave dhe inspektorëve të arsimit është jashtë çdo norme dhe logjike.

“Komunat i kanë kompetencat e tyre vetanake të dhëna në ligjin mbi vetëqeverisje lokale dhe QEVERI mos bëni presion mbi zyrtar komunal për sigurimin e listave të punëtorëve grevist.  Kompetencat që burojnë nga ligji për vetëqeversije lokale janë duke u ushtruar edhe në këtë çështje. AKK edhe njëherë i bënë thirrje qeverisë që urgjentisht të ulet e të bisedoj me sindikatat përkatëse, në mënyrë që mos të pësojnë edhe më tutje nxënësit dhe qytetarët”, thuhet në njoftimin e tyre. /Gazeta Enigma/.

Related Articles