Qeveria thotë se procesi i padisë ndaj Serbisë për gjenocid do të marrë shumë kohë

Qeveria thotë se procesi i padisë ndaj Serbisë për gjenocid do të marrë shumë kohë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tashmë ka paralajmëruar dhe ka shprehur vendosmëri se qeveria e tij do të përgatisë padi kundër Serbisë për gjenocid. Javën e kaluar, Kurti tha se ngritja e padisë kundër Serbisë, është një nga çështjet që pritet të realizohet në kuadër të programit qeverisës. Siç ka thënë ai, padia pritet të ngrihet pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Rozafa Kelmendi, zëdhënëse e Qeverisë së Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se sa i përket ngritjes së pandemisë për gjenocid ndaj Serbisë janë duke u bërë vlerësime të juridiksionit dhe po bëhen analiza në aspektin e brendshëm dhe të jashtëm, në mënyrë që më pas të vazhdohet me procedura të tjera.

“Sapo të finalizohet procesi i hartimit të planit, mund të fillohet edhe me hartimin e padisë. Por, duhet pasur parasysh që një nga gjërat m; të rëndësishme në gjithë këtë proces është puna masive e cila kryhet prapa perdeve, meqenëse kjo padi dorëzohet direkt kundër një shteti tjetër, ndaj edhe kërkohet edhe kujdes i shtuar”, tha Kelmendi.

Ajo tha se procesi i padisë kundër Serbisë është i ndjeshme dhe i ndërlikuar, rrjedhimisht, sipas Kelmedit, kjo çështje do të marrë kohë.

“Është herët të flasim se kur do të ndodhë dhe nuk mund të themi ndonjë datë të caktuar, pavarësisht se është duke u punuar intensivisht në të gjitha fazat e procesit. Ky proces duhet të jetë i përgatitur shumë mirë, prandaj edhe do të marrë kohë më shumë”, tha Kelmendi.

Ahmet Grajqevci, drejtor i organizatës “Shpresa dhe Kujtimi”, organizatë kjo që hulumton çështjen e personave të zhdukur dhe krimet e luftës në Kosovë, thotë se Kosova është vonuar shumë në ngritjen e padisë për gjenocid kundër Serbisë.

“Mendoj se për të ngritur një kallëzim penal për krim dhe gjenocid mbi popullatën shqiptare në Kosovë, duhet të jemi shumë të vetëdijshëm që duhet të jemi të përgatitur shumë mirë, të sistemuar mirë me materiale, fakte e argumente sepse duhet ta dimë se me kë kemi punë. Sa i përket strukturës e cila duhet të përgatitet rreth këtij materiali, duhet të jenë njerëz eminentë që e njohin këtë punë mirë, e që janë punëtorë të kësaj çështjeje, në bashkëpunim me ekspertë ligjorë”, u shpreh Grajqevci.

Grajqevci tha se Kosova ka dëshmi të bollshme për të dëshmuar se në Kosovë është kryer gjenocid, por ai kritikoi institucionet që deri tash nuk kanë sistemuar dëshmitë e fakte.

Related Articles