Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështjet tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, ka kërkuar mbështetje për një të ardhme europiane për shtetet e këtij rajoni në Komisionin për Çështjet Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.
“Duke iu drejtuar sot PACE Political [Komisioni për Çështjet Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës] për mbështetjen e një të ardhmeje europiane për Ballkanin, theksova se sado të mira apo fisnike të jenë idetë, traktatet apo rezolutat tona, ato nuk do të kenë asnjë ndikim pa parlamentarët. Ata mbajnë çelësin për të ardhmen europiane të vendeve të tyre”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
Pjesë nga fjalimi i Lajçakut nxori edhe Komisioni në faqen zyrtare në Twitter.
“Është e rëndësishme që premtimi europian të bëhet më i prekshëm dhe më i besueshëm në Ballkanin Perëndimor. Ai duhet të përbëjë një ndryshim në jetën e përditshme të njerëzve. Këshilli i Europës ka një kuti me plot mjete për të ndihmuar”, ka thënë Lajçak.
Lajçak gjithashtu ka ngritur edhe shqetësimin se mosdhënia e një perspektive europiane për Ballkanin Perëndimor krijon hapësirë për modele më pak demokratike.
“Ju parlamentarë, keni një rol qendror në proces, meqenëse jeni në kontakt me njerëzit”, ka thënë Lajçak.