ZRrE: Elektrosever s’ka përmbushur asnjë kriter

ZRrE: Elektrosever s’ka përmbushur asnjë kriter

Kompania serbe, Elektrosever, e licencuar për furnizimin e veriut të Kosovës me energji elektrike, nuk i ka plotësuar ende kushtet që ia përcakton udhërrëfyesi për Marrëveshjen për Energji ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Ndonëse i kanë mbetur më pak se tri javë për një gjë të tillë, nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) në Kosovë siç shkruan Radio Evropa e Lirë, thonë se në bazë të informacioneve që kanë, asnjë nga kriteret e përcaktuara “nuk janë përmbushur”.

Marrëveshja për Energji parasheh që qytetarët në veri të Kosovës të paguajnë për rrymën e shpenzuar nga vjeshta e këtij viti – për herë të parë pas më shumë se dy dekadash.

Elektrosever është pyetur po ashtu nga REL, për zbatimin e kritereve të marrëveshjes, por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka marrë përgjigje.

Udhërrëfyesi për Marrëveshjen e Energjisë përcakton se, në rast të mosveprimit me kushtet e caktuara brenda 100 ditësh nga licencimi, Elektrosever-it mund t’i pezullohet ose tërhiqet licenca nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Megjithatë, një vendim i tillë do të duhej të diskutohej paraprakisht mes palëve, përkatësisht mes Kosovës dhe Serbisë.

ZRrE i ka miratuar licencën Elekstrosever-it më 24 qershor, apo para 82 ditësh.

Related Articles