Skuadra e Dritës ia ka shkaktuar Gjilanit humbjen e parë këtë edicion, duke e mposhtur në derbin e qytetit me rezultatin bindës.
Dueli i xhiros së shtatë të Superligës që u zhvillua të mërkurën, ka përfunduar me shifrat 4:1 në të mirë të Dritës.
Për Dritën, kjo është fitorja e katërt këtë edicion karshi dy barazimeve në gjashtë ndeshje të zhvilluara. Ndërsa, Gjilani pësoi humbjen e parë pas një serie prej katër fitoreve e dy barazimeve. Me këtë fitore, Drita është ngritur në kuotën e 14 pikëve, sa i ka edhe Gjilani.
Skuadra e trajnerit Ardian Nuhiu, fitoren në derbi e siguroi në pjesën e parë kur arriti të shënoj tri herë. Sulmuesi Marko Simonovski shënoi “hat-trick” pasi realizoi dy gola në pjesën e parë dhe një në të dytën.
Golin tjetër për Dritën e shënoi Blend Baftiu që zhbllokoi rezultatin në minutën e 38-të. Ndërkohë, golin e nderit për Gjilanin e realizoi Baton Zabërgja (79’).