Kryetari i PDK-së tha se është e padrejtë dhe e pasaktë se sindikatat janë nxitur nga opozita, derisa theksoi se Kurtin e kanë votuar të gjithë, edhe mësuesit.
Ai e ka obligim ligjor e kushtetues të drejtojë qeverinë dhe ajo duhet të gjejë zgjidhje”, u shpreh Memli Krasniqi, duke shtuar se pagat kanë mbetur njësoj e çmimet janë rritur me 30%.
Ai tha se ndalja e pagës nuk është e drejtë sepse në njërën anë, ata kanë të drejtë të hyjnë në grevë e në anën tjetër ia ndalë pagat.
“Kjo nuk ka ndodhur kurrë në historinë e Kosovës”, u shpreh Krasniqi. “Kemi pasur greva edhe ne kur ishim në pushtet, po nga këta njerëz. Ndoshta nuk kemi mundur të plotësojmë kërkesat në tërësi, por kemi dialoguar”, ka thënë Krasniqi në një intervistë për RTK-në.
Kreu i PDK-së tha se nuk është e ligjshme ndalja e pagave ose ulja e pagave në këtë kohë krize.
“Kjo është e pamoralshme dhe e padrejtë”.
Krasniqi tha se ka tendenca për ndarje bardhë e zi, që t’i ndajë mësimdhënësit me prindër.
“Nuk është se mësuesit janë vetëm profesionistë, por janë edhe prindër”.
Ai tha se këmbëngulja e SBASHK-ut, nuk duhet të mbetet, por të kërkohet një kompromis. “Aq sa kam parë, këta kanë ofruar që të ketë lëvizje, por kryeministri ka thënë se asnjë cent nuk e jep më shumë”, u shpreh ai.
“Kjo ka degjeneruar me 50 euro e 70 euro. Janë këta mësimdhënës që nën kërcënimin e Serbisë, pa paga na kanë shkolluar ne”, rikujtoi kreu i PDK-së, sipas të cilit, nuk mund të degradohen mësimdhënësit deri në këtë shkallë. “Kërkesa e tyre është për dinjitet”.
Më tej, Krasniqi tha se tendenca e Kurtit që vetëm ai e ka mirë, rrezikon të rrëshqasë drejt autokracisë. “Kurti refuzoi të takojë grevistët, se nuk takohem me Jasharajn sepse ata nuk janë niveli im. Kritika e tij ndaj medieve thuajse kërcënuese.
Ashtu edhe ndaj sistemit të drejtësisë e po ashtu edhe ndaj opozitës”, tha Krasniqi, duke shpjeguar arrogancën, që sipas tij, e ka Kurti ndaj të tjerëve.
“Kjo nuk ka vend në një vend demokratik”, tha Krasniqi në televizionin publik.