Shoqja e Arlinda Zekajt, e cila jeton në Amerikë, ka publikuar një dedikim prekës për 49-vjeçaren që u vra tragjikisht në Vitomiricë të Pejës.
Në mesazhin e saj, ajo e kujton Arlindën si një grua të dashur, të sinqertë dhe të afërt, por mbi të gjitha si një nënë të jashtëzakonshme, e cila jetonte për djalin e saj, Anikun.
“Linda, përveç se ishe gjithmonë një grua e këndshme, e dashur, e afërt, e sinqertë – ishe edhe një nënë madhështore! Dashuria jote për Anikun reflektonte në çdo frymëmarrje tënden!”, shkruan ajo.
Shoqja e saj thekson se përkushtimi dhe kujdesi që Arlinda kishte për të birin ishin shembull dhe frymëzim edhe për nënat e tjera. Ajo kujton me emocion afërsinë mes tyre, përqafimet e djalit dhe dashurinë që, sipas saj, e karakterizonte çdo ditë të jetës së Arlindës.
Në dedikim, ajo shpreh dhimbjen e thellë për mënyrën se si përfundoi jeta e shoqes së saj, duke ngritur edhe pikëpyetje për rrethanat familjare dhe mbrojtjen që Arlinda meritonte.
Ajo kritikon edhe ish-bashkëshortin e Arlindës, duke pretenduar se ai ishte në dijeni të problemeve që, sipas saj, ekzistonin në familjen e tij, por megjithatë kishte ftuar anëtarë të saj në shtëpi. Këto janë pretendime të shprehura në dedikimin e saj.
“Aniku asnjëherë nuk do t’ia falë as babait, as axhës e aq më pak gjyshes së tij, që të gjithë ata së bashku ia morën jetën Lindës së tij”, thuhet në mesazh.
Shoqja e ngushtë shpreh gjithashtu zhgënjimin për mungesën e mbrojtjes që, sipas saj, Arlinda nuk e mori pavarësisht ankesave të saj.
“Kosova, që ti e deshe aq shumë, përveç dheut të saj, nuk të dha as mbrojtjen më të thjeshtë apo të drejtën që e meritove si nënë dhe si grua, përkundër të gjitha ankesave tua”, përfundon dedikimi.
Vrasja e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës ka tronditur opinionin publik. Rasti po trajtohet nga organet e drejtësisë.
