Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka falendëruar Gjermaninë, Francën dhe Poloninë, në mbështetjen e tyre për liberalizimin e vizave.
Ajo ka thënë se ky proces tashmë i vonuar, është rikthyer në agjendën e duhur falë angazhimit të institucioneve shtetërore.
“Shumë faleminderit Gjermanisë, Francës dhe Polonisë për angazhimin e tyre të vendosur ndaj vizave. për popullin e Kosovës. Ky proces i vonuar është rikthyer në rrugën e duhur përmes punës së palodhur dhe agjendës së qartë të institucioneve të Kosovës dhe mbështetjes së aleatëve tanë” shkroi Osmani në Twitter.
Kësaj përkrahjeje i është treguar mirënjohës edhe kryeministri Albin Kurti, i cili ka thënë se mezi pret të takojë përfaqësuesit e Trekëndëshit të Vajmerit, në Kosovë.
“E mirëpres riafirmimin e liberalizimit të vizave për Kosovën, përkushtimin e qartë për zgjerimin e BE-së, Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal nga Ministrat për Çështje Evropiane të Trekëndëshit të Vajmarit (Gjermania, Franca, Polonia). Pres me padurim vizitën e tyre të përbashkët” shkroi Kurti.
Në komunikatën e lëshuar nga Trekëndëshi i Vajmarit u bë thirrje edhe për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe bashkëpunim rajonal.
“Ne bëjmë thirrje për progres në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën. Vendet tona janë të përkushtuara fuqishëm ndaj Procesit të Berlinit si një mjet shtesë për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor; ne theksojmë rëndësinë e zbatimit të vendimit historik nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për të krijuar një treg të përbashkët rajonal” thuhet në deklaratë.