Gjenerali Kudusi Lame në emisionin Pressing të T7, ka folur për padinë e mundshme ndaj Serbisë që po premtohet nga pushtetarët në Kosovë. Lame ka thënë se Serbia e ka krijuar plotësisht figurën e masakruesit apo të realizuesit të gjenocidit dhe ne nuk duhet të frikësohemi nga padia.
“Gjenocid nuk do të thotë vetëm një masakër e një momenti, apo shpërngulje e një momenti. Serbia e ka krijuar plotësisht figurën e masakruesit, apo të realizuesit të gjenocidit”, është shprehur Lame.
Gjenerali tha se institucionet shqiptare duhet të jenë të pajtuara bashkërisht për ta realizuar këtë proces.
“Unë do të doja që realisht të ndërmerren hapa në këtë drejtim, e përkrah mendimin që nuk duhet këto veprime të përdoren nga shtetarët që për interesa personale të tyre shfrytëzojnë procese kombëtare. Institucionet shqiptare në tërësi të jenë shumë të pajtuara bashkërisht për ta realizuar këtë proces”, ka thënë Lame.
“Duhen krijuar grupe të punës dhe duhet ndërmarr veprime sepse historia është proces që po s’e morën në mbrojtje, do ta ndërtojnë të tjerët”.
Gjithashtu Lame tha se rasti i Kroacisë dhe Bosnjës nuk mund të vërtetohet si gjenocid i kryer nga Serbia për shkak se kjo e fundit nuk merr përgjegjësi për atë se çka ka ndodhur në Jugosllavi.
“Nuk është çështja a do të dënohet Serbia apo jo për këtë çështje. Çështja e Kroacisë dhe Bosnjës nuk është humbur sepse nuk është vërtetuar, apo sepse Serbia ka pasur të drejtë. Por, është humbur sepse krimet janë kryer nga Jugosllavia dhe Serbia nuk merr përgjegjësi për atë që ka ndodhur”, shtoi Lame.