Trajneri i Drenicës, Bekim Shotani e ka “eliminuar” Ballkanin nga gara për titull edicionin 2022/23 në Superligën e Kosovës në futboll.
Sipas Shotanit, Prishtina do të shpallet kampion në fund të edicionit, për disa arsye.
“Nuk besoj se sivjet Ballkani e zë vendin e parë në fund. Këtë edicion konkurent numër një për vendin e parë e shoh Prishtinën. Prishtina ka mundësi dhe ka gjasa reale të bëhet kampion. Duke pasur parasysh se Prishtina në secilën pozitë ka dy tre lojtarë të nivelit të lartë. Me disa përforcime që do t’i bëjë Prishtina mund ta godasë Superligë”, ka deklaruar Shotani në KTV.
Pas tetë xhirove në elitë, Drita udhëheq me 17 pikë, tri më shumë se Gjilani që ka një ndeshje më shumë të zhvilluar.
Ballkani ka nëntë pikë në vendin e gjashtë, por katër ndeshje më pak të luajtura, për shkak të angazhimeve në garat evropiane.
Prishtina e Ismet Munishit zë vendin e tretë me 11 pikë, gjithashtu me një ndeshje më pak të zhvilluar (kundër Dritës).