Edhe 6 persona tjerë pranohen si viktima në procesin gjyqësor ndaj Pjetër Shalës

Edhe 6 persona tjerë pranohen si viktima në procesin gjyqësor ndaj Pjetër Shalës

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë njoftuar se më 19 shtator, gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, ka nxjerrë vendimin e tretë për pjesëmarrjen e viktimave në çështjen kundër Pjetër Shalës, ku u pranuan edhe gjashtë viktima të tjera në proces gjyqësor.

“Gjashtë parashtrues të kërkesave u pranuan si viktima pjesëmarrëse në proces gjyqësor. Ata do të përfshihen në grupin ekzistues 1 (i cili numëronte 2 viktima pjesëmarrëse) dhe do të  përfaqësohen nga përfaqësuesi i njëjtë  i viktimave”, thuhet në njoftim të gjykatës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Related Articles