Brengosëse, qytetarët e Gjilanit po përballen me mungesë të ujit për pije, niveli i ujit 13 metra nën kuotën maksimale

Brengosëse, qytetarët e Gjilanit po përballen me mungesë të ujit për pije, niveli i ujit 13 metra nën kuotën maksimale

Tani e një javë banorët e lagjes ‘’Arbëria’’ së bashku me ata nga ‘’Kodra e Dëshmorëve’’ po përballen me mungesën e ujit për pije, shkruan Gazeta Enigma.

Rukije Sadiku qytetare nga lagjja ‘’Arbëria’’ në Gjilan ka rrëfyer për Gazetën Enigma se ka më shumë se një javë që po përballen me mungesën e ujit për pije.

‘’Ka më shumë se një javë që ne kemi reduktime të ujit për pije nga 8 deri në 10 orë gjatë ditës, dhe kjo po na shkakton shumë probleme duke pasur parasysh qe ne nuk kemi burim tjetër të furzimit me ujë për pije përveç këtij të ujësjellësit’’, ka treguar ajo për Gazetën Enigma.

Tutje ajo ka shtuar se ‘’nuk kanë pasur asnjë njoftim paraprak nga kompania e ujësjellësit për ndërprerjen e ujit’’.

Në lidhje me këtë çështje Gazeta Enigma ka kontaktuar edhe me inxhinierin e hidros pran KRU Hidromorava në Gjilan, Shpat Klaiqi, i cili ka deklaruar se furnizimi prej pendës së Përlepnicës ka rënie të nivelit në masë të madhe.

‘’Furnizimi prej pendës së Përlepnicës ka rënë niveli shumë. Prej kuotës maksimale që është 30 metra ka rënie të nivelit në 17 metra, që i bie diku 13 metra nën kuotën maksimale’’, ka deklaruar Klaiqi për Enigmën.

Klaiqi ka shtuar se dy lagjet në pikat më të larta në qytet po i’a shohin sherrin kësaj rënie të nivelit të ujit dhe po mbesin pa furnizim me ujë për pije.

‘’Presioni kur lëshohet uji, pra presioni që dërgon ujin në pikat më të larta, ku njëra ndër to është ‘’Kodra e Dëshmorëve’’ dhe lagjja ‘’Arbëria’’ po përballen me mungesën e ujit’’, tha ai.

Sipas Klaiqit furnizimi me ujë të pijshme varet nga reshjeve atmosferike.

‘’Pra uji nuk po ndalet nga kompania jonë, por vetëm prej mungesës së shtypjes shkaku i rënies së nivelit të ujit’’, ka përfunduar ai. /Gazeta Enigma/

Related Articles