Futbollisti i talentuar i Llapit, Ilir Krasniqi, i cili për herë të parë ndodhet i grumbulluar me ekipin kombëtar, është shprehur i lumtur që përzgjedhësi Alain Giresse e ka vlerësuar formën e tij në këtë edicion, duke e ftuar të jetë pjesë e Dardanëve.
Ai pas stërvitjes së sotme ka dhënë një deklaratë për faqen zyrtare të FFK-së, ku ka folur për grumbullimin në Kombëtare dhe për pritjet e tij para dy ndeshjeve kundër Irlandës së Veriut dhe Qipros.
“Jam mjaft i lumtur që jam këtu dhe për ftesën nga trajneri. Më kanë pritur ngrohtë mua dhe dy lojtarët e tjerë të Superligës. Atmosfera është e mirë, madje shumë më e mirë se sa që e kam menduar. Shpresoj të vazhdojmë kështu. Kjo po tregon se ndoshta në të ardhmen do t’i jepet mundësia edhe më shumë lojtarëve të Superligës siç jemi ne në këtë grumbullim. Shpresojmë të rritet ky numër në të ardhmen. Pritjet gjithmonë janë maksimale, besoj që t’i fitojmë pikët e plota edhe pse e dimë se do të jetë e vështirë, por shpresojmë më të mirën”, ka theksuar Krasniqi.