Qeveria e Kosovës dhe Këshilli Grevist nuk kanë arritur një marrëveshje për ndërprerjen e grevës të punëtorëve të sektorit publik, as pas ndërmjetësimit të drejtoreshës së Unionit të Sindikatave të Arsimit në Evropë, Susan Flocken.
Pas takimit me Kurtin, Jasharaj ka thënë se kishte besuar që pas ndërmjetësimit të Flocken, qeveria do të ndryshonte qëndrim dhe do të lëvizte pak nga pozicioni i saj, por kjo gjë nuk ka ndodhur.
Jasharaj tha se në takimin e përbashkët, u diskutua në anglishtë, një gjuhë që ai nuk e ka kuptuar.
“Menduam se më në fund, në emër të Evropës, qeveria do të ndërrojë kahje, do të ndërroj qëndrimin. Thënë të drejtën, u fol në gjuhë angleze në takim dhe shumë gjëra s’munda t’i kuptojë, por në fund u pa që s’ka ndryshuar asgjë. Qeveria nuk ndryshoi qëndrimet e veta”, deklaroi Jasharaj në një konferencë për media.
Jasharaj ka thënë se i rri prapa zotimit të tij që të mos mbajë një takim tjetër me Kurtin pa praninë e mediave. Mirëpo, takimi i sotshëm tha se ishte ndryshe, ku BSPK ishte e ftuar nga Flocken.
“Asnjë takim nuk do të mbahet pa media, por ky nuk ishte një takim i BSPK-së. Ky ishte një kryekëput i sponsorizuar nga Brukseli dhe Flocken dhe përkundër përpjekjeve maksimale, qeveria nuk ka ndryshuar qëndrimin e vet. Fatkeqësisht nuk ka lëvizje, kemi pritur shumë nga ky takim. Kemi shpresuar që së paku me zonjën Flocken, qeveria do të lëvizte nga pozicioni i ngurtësuar”, deklaroi tutje ai.
Kryesindikalisti Jasharaj tha se nuk do të zëvendësohen orët e humbura të mësimit nga grevat, duke u mbështetur te kontrata koletive, e nënshkruar nga Ministria e Arsimit.
Ndërsa, sa i përket një proteste të paralajmëruar nga prindërit, Jasharaj tha se protesta duhet t’i dedikohet qeverisë dhe jo sindikatave.
“Sipas kontratës koletive, të nënshkruar nga MASHTI, thuhet se orët e humbura nga greva nuk zëvendësohen. Precizohet që gjatë grevës nuk zëvendësohen. Uroj që prindërit e Kosovës, që protestën ta bëjnë dhe t’ia dedikojnë qeverisë sepse edhe prindërit e kanë kuptuar që ne jemi angazhuar për dialog. Është angazhuar edhe Avokati i Popullit, edhe zonja Flocken”, tha ai.
“Fajtore e vetme për këtë situatë është Qeveria Kurti, duke u barrikaduar dhe duke mos lëvizuar asnjë centimetër përballë kërkesave të SBASHK-ut dhe BSPK-së”, tha Jasharaj.