Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj sot deklaroi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar fshehurazi me kryetaren e Dhomave të Specializuara në Kosovë (DhSK), Ekaterina Trendafilova.
Mirëpo, këto aludime janë hedhur poshtë me një përgjigje për Gazetën Enigma nga Gjykata Speciale e Hagës.
“Jo, kryetarja e KSK-së Trendafilova nuk është takuar me kryeministrin Albin Kurti”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës për Gazetën Enigma.
Ndryshe, takimi për të cilin kishte pretenduar Molliqaj është bërë për ta normalizuar dhe legjitimuar vizitën e saj në Kosovë.
“Pas mesazhit të qartë që qytetarët ia dhanë Trëndafilovës, që n’Kosovë do ta presim veç me protesta, Kurti po përpiqet ta normalizojë atë. Takimi i fshehur larg publikut është përpjekje e dëshpëruar për legjitimim të kësaj vizite. E ka takuar sepse kjo gjykatë po ia mbanë gjallë narrativen për luftën”, ka thënë ai.
“Sot qytetarët e shumtë që ishin mobilizuar për protestë, e detyruan Gjykatën që të dorëzohet nga synimi i saj që t’bëjë propagandë. Ndërsa Kurti, përkundër vullnetit qytetar, e paska ngushëlluar atë, duke i garantuar që Qeveria e tij ia njeh legjitmitetin dhe ia pranon vizitat e propagandën”, ka vijuar ai.
Në fund Molliqaj ka thënë se do t’i tregojnë Kurtit dhe Trëndafilovës që “qytetarët e dojnë dhe besojnë në luftën e vet çlirimtare”.