Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:30 në Klinikën Gjinekologjike Obstetrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku një foshnjë ka lindur pa shenja jete.
Bashkëshorti i gruas që kishte lindur fëmijën me prerje cezariane, është njoftuar menjëherë pas operimit se foshnja nuk ka mbijetuar.
Në lidhje me këtë çështje gazetari i shëndetësisë, Bujar Vitija, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ka reaguar rreth skandalit të ‘’ndërrimit të foshnjë’’ në QKUK.
‘’Skandali i dyshimit te “ndërrimit të foshnjës” në QKUK është një gabim dhe shkelje e autorizimit të infermieres’’, ka shkruar ai.
Tutje ai treguar në detaje ngjarjen që ka ndodhur mbrëmë në QKUK.
‘’Dy raste të rënda në të njëjtën kohë janë trajtuar mbrëmë në sallën e lindjes në Gjinekologji. Njëra nga pacientet kishte gjakderdhje të rëndë dhe mjekët nuk arrijnë ta shpëtojnë foshnjën’’, ka shkruar Vitija.
‘’Me vetëm pak minuta diferencë lind edhe pacientja tjetër me foshnjën e gjallë’’.
‘’Një infermiere e Neonatologjisë e merr foshnjën e gjallë për ta dërguar në kujdesin neonatal, dhe rrugës e takon prindin e foshnjës së vdekur. Atij i thotë se kjo është foshnja juaj dhe ka lindur mirë. Prindi i bën fotografi foshnjës, ndërsa pak minuta më vonë e kupton nga mjeku se foshnja e tij në fakt ka lindur e vdekur’’, ka thënë ai.
‘’Kjo është edhe një papërgjegjësi e pafalshme që ka çuar në skandal dhe menaxhmenti duhet të marr masa’’, ka përfunduar Vitija.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes e po ashtu kanë njoftuar edhe Prokurorin e Shtetit lidhur me rastin, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë i fëmijës të dërgohet për obduksion në IML.
Rasti është iniciuar ‘Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor’, teksa me detajet e reja lidhur me rastin, Gazeta Enigma do t’iu mbajë të informuar ditëve në vazhdim. Gazeta Enigma/