Në Klinikën e Gjinekologjisë mbrëmë kanë lindur dy foshnje njëra prej të cilave pa shenja jete.
Dyshohet se njëra nga infermieret ka krijuar një keqkuptim mes prindërve të dyja foshnjave.
Ajo prindërve të foshnjës së vdekur u kishte thënë se “fëmija ka lindur shëndosh e mirë” ndërsa të kundërtën prindërve të fëmijës së shëndoshë.
Kjo ka nxitur dyshime tek prindi, të cilit i kishte vdekur foshnja dhe ai e ka lajmëruar rastin në polici, nën dyshimin se është ndërruar foshnja.
Lidhur me rastin është deklaruar policia.
Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës Flora Ahmeti, tha për Gazetën Enigma se është hapur hetim në drejtim të vepres penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.
“Mbrëmë rreth orës 22:00 me autorizimin e prokurorit të shtetit policia ka iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”. Hetimi ka ardhur si rrjedhojë e denoncimit të bërë pranë policisë nga ankuesi i cili ka ngritur dyshimet për trajtim të pandërgjegjshëm, ndaj klinikës ku është realizuar lindja.Dyshimet janë ndërlidhur me informimin e menjëhershëm pas lindjes se foshnja e tij është pa shenja jete, informacion ky i pranuar nga ana e personelit të klinikës përkatëse. Ndërkohë që trupi i pajetë është dërguar për obduksion, policia në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit po heton të gjitha rrethanat që karakterizojnë ngjarjen me qëllim zbardhjen e plotë të tyre” – tha Ahmeti.