Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq përveç që nuk njeh shtetin e Kosovës dhe krimet e bëra nga regjimi i Millosheviqit, mban edhe lidhje shumë të ngushta me federatën ruse, duke nënshkruar edhe marrëveshje bashkëpunimi dhe kjo sipas tij duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore-demokratike.
Kurti i bëri këto komente derisa ka komentuar deklaratën e Vuçiqit, i cili ka thënë se ka informacione që kryeministri Kurti ka qenë në kërkim të artilerisë me largësi prej më shumë se 10 kilometrash.
“Me çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë në Kosovë, ne kemi ministër të mbrojtjes, kemi ministër të punëve të brendshme, por ne jemi qeveri demokratike, progresiste, e shpresës. Ndërkohë që përballemi me fqinjët verior, që udhëhiqet nga një president i frikës dhe i kërcënimit, që përveç se udhëheq me një shtet në mënyrë jo demokratike dhe nuk e njeh Kosovën dhe krimet të cilat i ka kryer regjimi i Millosheviçit në Kosovë, gjithashtu mban edhe lidhje shumë të ngushta me federatën ruse, siç e pamë edhe së fundi me marrëveshjen e bashkëpunimit që nënshkroi ministri i jashtëm serb me atë rus, që duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore-demokratike”, tha ai.
Ndryshe, në margjinat e sesionit të 77-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq dhe ai i Rusisë, Sergei Lavrov kanë nënshkruar një marrëveshje për të koordinuar politikën e jashtme.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe Blerim Vela, shef i Kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Ai në një postim në Twitter ka shkruar se Serbia po punon për të harmonizuar më tej politikën e saj të jashtme me Rusinë.
Shefi i kabinetit të presidentes ka deklaruar se procesi i aderimit të Serbisë drejt Bashkimit Evropian duhet të ndalet.
“Serbia punon për të harmonizuar më tej politikën e saj të jashtme me Rusinë. Serbia nuk arrin të harmonizojë politikën e saj të jashtme me BE-në dhe shtetet e saj anëtare për Ukrainën.
Aderimi i Serbisë në BE duhet të ndalet. Nuk duhet të ketë më dy fjalë në një moment kaq vendimtar për Evropën”, ka shkruar Vela.
Menjëherë pas marrëveshjes Serbi-Rusi ka reaguar edhe analisti amerikan, Janusz Bugajski, i cili ka thënë se është koha për të sanksionuar Serbinë pasi Beogradi mbështet kriminelët e luftës në Kremlin.
Bugajski në një postim në Twitter ka pyetur pse duhet të përfitojë Serbia nga çdo fond apo investim i tatimpaguesve të BE-së.
“Koha për të sanksionuar Serbinë. Beogradi mbështet kriminelët e luftës në Kremlin. Pse duhet të përfitojë nga çdo fond apo investim i taksapaguesve të BE-së”, ka shkruar ai.