Paralajmërimet për liberalizim të vizave – “Kjo padrejtësi për Kosovën duhet të mbyllet dhe të bëhet realitet”

Paralajmërimet për liberalizim të vizave – “Kjo padrejtësi për Kosovën duhet të mbyllet dhe të bëhet realitet”

Paralajmërimet për liberalizim të vizave kanë ngjallur shpresa të mëdha se pritjes së gjatë të qytetarëve iu erdhi fundi, shkruan Gazeta Enigma.

Javët dhe muajt e ardhshëm pritet të jenë vendimtarë për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, thonë burimet diplomatike në Bruksel.

Mirëpo, një paralajmërim të tillë e bëri edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde, i cili ka treguar se kur mund të ndodhë liberalizimi i vizave. Rohde është pyetur nga disa gazetarë nëse do të hiqen regjimet e vizave në fillim të vitit të ardhshëm, dhe ai u përgjigj se po mund të ndodhë.

Paralajmërimet për mundësinë për liberalizim të vizave, deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj i cilëson si lajme të mira.

Lekaj thekson se Evropa nuk duhet të gabojë më në këtë drejtim, dhe sipas tij kjo padrejtësi për Kosovën duhet të mbyllet dhe të bëhet realitet.

“Paralajmërimet për mundësinë për liberalizim të vizave në janar, është lajm i mirë dhe i gëzueshëm nëse është i vërtet”, tha ai.

“Mendojë që Evropa nuk duhet të gabojë më në këtë drejtim. Kjo temë dhe kjo padrejtësi për Kosovën duhet të mbyllet dhe të bëhet realitet”, theksoi Lekaj për Gazetën Enigma.

Deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj

Mes tjerash, Lekaj tha se “Institucionet shtetërore janë në nivelin që duhet të jenë dhe Qytetarët e Kosovës e meritojnë të jenë në familjen e madhe Evropiane, sepse mbi të gjitha vendi ynë ka dhënë mjaft në secilin aspekt dhe pjesë të historisë”.

Mos dhënia e dritës së gjelbër, padrejtësi për qytetarët e Kosovës

Lekaj e konsideron si zhgënjim mos dhënien e dritës së gjelbër sa i përket liberalizim të vizave.

“Është zhgënjyese nga mekanizmat institucional dhe shtetet e forta të Evropës mos dhënia e dritës së gjelbërt që qytetari i Kosovës të lëvizë lirshëm”, tha ai duke theksuar se duhet çmuar dhe vlerësuar kontributin e qytetarëve dhe institucioneve të vendit përgjatë gjithë procesit të liberalizimit të vizave.

Mes tjerash, Lekaj thotë se kjo mbyllje mbi dy dekadëshe ka bërë që vendi të përballet nga një burokraci ambasadash e padrejtësish, ku sipas tij shumë kategori janë kufizuar e anashkaluar për marrjen e një vize për çështje të ndryshme.

“Kjo mbyllje shtetërore mbi dy dekadëshe ka bërë që vendi ynë të përballet nga një burokraci ambasadash e padrejtësish, ku studentët, të rinjët e e të rejat, klasa punëtore, pensionistët, bizneset e vogla, e shumë kategori tjera janë të kufizuar e anashkalur për marrjen e një vize për çështje studimi, pune, udhëtimi, vizite, etj”, shtoi Lekaj.

Ai thekson se qytetarët janë të zhgënjyer me Bashkimin Evropian, ku deklaratat e krerëve të Evropës brenda dhe jashtë Kosovës, deklaratat zyrtare nëpër tavolina zyrtare pas konfirmimeve të Raporteve Të Progresit që Kosova ka përmbushur Kriteret dhe Liberalizimi është çështje javësh a muajsh, ka dëshpruar çdonjërin dhe sipas tij më askush nuk pret që të bëhet diçka e mirë në këtë drejtim.

Ndryshe, edhe presidenca çeke e BE-së ka ndezur motorët për ta çuar përpara liberalizimin e vizave për Kosovën.

Zëdhënësi i presidencës çeke të BE-së është shprehur se raporti i Komisionit Evropian për situatën aktuale me vizat pritet të prezantohet në takimin e Grupit Punues për Viza më 13 tetor, Pastaj, Presidenca çeke do të bëjë ç’është e mundur ta fusë në agjendën e ministrave sa më parë.

Zëdhënësi i presidencës çeke, Vaclav Smolka, që njëherit ushtron edhe funksionin e zëdhënësit të kryeministrit çek Petr Fiala, ka thënë se Çekia do të bëjë të gjitha përpjekjet që ta fus në agjendë të ministrave të BE’së sa më parë.

“Presidenca çeke do të bëjë të gjitha përpjekjet për ta sjellë sa më shpejt këtë çështje në nivelin e ministrave. Mirëpo, përkrahja/miratimi nga Këshilli Evropian (shefave të shteteve) nuk është një parakusht në këtë çështje”.

“Ajo që është me rëndësi, procesi në Këshill që ende  mund të zgjasë disa muaj, është në rrugën e duhur. Ne jemi duke punuar në mënyrë aktive drejt një vendimi pozitiv sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Smolka.

Ai tutje tha se progresi për heqjen e vizave për Kosovë varet edhe nga situata politike në rajon duke nënkuptuar përparim në dialogun Kosovë-Serbi.

Qytetarët e Kosovës ende në “grila”, kush po e pengon?

Franca dhe Holanda si dy nga shtetet hezituese që kosovarët të lejohen të udhëtojnë lirshëm në zonën Schengen tani duket se nuk kanë dilema.

“Komisioni Europian së shpejti do të vijë me një raport të përditësuar mbi standardet për liberalizimin e vizave. Holanda është e hapur për të vlerësuar nëse të gjitha standardet janë përmbushur”.

“Progresi i bërë deri më tani në regjistrin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është kyç për ne” thanë nga Ministria e Jashtme e Holandës.

Vlen të theksohet që në muajin maj, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon fajin për këtë ia hedh Francës dhe Holandës.

“Liberalizimi i vizave është ende i bllokuar nga një pakicë e vogël në Këshill – vetëm Franca dhe Holanda. Kjo është jo vetëm e padrejtë, por edhe shumë problematike për besueshmërinë dhe pozitën e BE-së në rajon”, ka thënë Von Cramon për Gazetën Enigma.

LEXO EDHE: Von Cramon për Gazetën Enigma: Franca vazhdon t’i lë në ‘grila’ qytetarët e Kosovës

Von Cramon tha se Kosova fatëkeqësisht mbetet i vetmi vend në rajon, qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë në zonën Shengen pa kaluar nëpër procedurën e komplikuar dhe të kushtueshme të marrjes së vizës.

Sipas saj, Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat për liberalizim të vizave, duke konfirmuar se këto kërkesa ishin më të rrepta se për shumicën e shteteve të tjera.

Ndryshe, Komisioni Evropian dy herë ka rekomanduar që Kosovës t’i liberalizohen vizat në raportet e tij më 2016 dhe 2018, por një vendim i tillë s’është diskutuar asnjëherë në Këshillin e BE-së. /Gazeta Enigma/.

Related Articles