Një ditë para ardhjes në Kosovë për vizitë zyrtare, Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, me anë të një përgjigje me shkrim për Albanian Post tha se “me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dëshiroj të këshillohem para samitit të udhëheqësve në Brdo – Brijuni”, proces, i cili do të mbahet më 17 prill.
“Më gëzon fakti se kryetarja Osmani veç e ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj. Ky do të jetë një takim i rëndësishëm, njëri nga më të rëndësishmit në historinë njëmbëdhjetëvjeçare të nismës Brdo – Brijuni”, tha Pahor.
Ai e ka ripërsëritur edhe një herë qëndrimin e tij për “non-paper-in” e publikuar në shtetin e tij muajin e kaluar.
“Le ta përsëris atë që e kam thënë qartë shumë herë: Idetë mbi ndryshimin e kufijve për mua janë plotësisht të papranueshme. Ta them qartë se nuk i mbështes mendimet mbi ndryshimin e kufijve në rajon, pasi kjo gjë në këtë rajon askurrë nuk ka përfunduar në mënyrë paqësore”, shtoi Pahor për AP.
Pahor vjen në Kosovë pasi muajin e kaluar u publikua një “non paper”, për ridefinim të kufijve në Ballkan e për të cilin thuhej se është shkruar në shtetin i tij, konkretisht nga kryeministrit Janez Jansha, zyra e të cilit kanë thënë për Albanian Post se “Qeveria aktuale e Republikës së Sllovenisë asnjëherë nuk ka diskutuar të ashtuquajturën “non-paper’ që ju keni përmendur në raportimet tuaja gjatë ditëve të fundit”.
Dokumenti, i cili u botua nga Albanian Post ofron një opsion se si duhet të ricaktohen kufijtë në Ballkan.“Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Bashkimi i një pjese të madhe të Republikës Serbe të Bosnjës me territorin e Serbisë. Zgjidhja e çështjes kombëtare të Kroacisë me dy opsione dhe krijimi i një shteti funksional boshnjak”, shkruan në dokument.