Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së fundmi ka folur për deklaratat e tij rreth një lufte të re që ka “mundësi” të ndodh në Kosovë.
Në një intervistë për median zvicerane “Die Republik”, Kurti ka thënë se ka arsye të forta që e bëjnë një konflikt të imagjinueshëm, shkruan lajmi.net.
I pyetur për deklaratat e tij sa ishte në opozitë në raport me flamurin e Republikës së Kosovës, Kurti ka thënë se i duhet ta respektojë pasi që ia obligon detyra.
“Si kryeministër i Republikës, flamuri i Kosovës është detyrë dhe obligim i imi që e respektoj dhe e përqafoj. Ajo është prioriteti im kryesor. Në programin e lëvizjes sonë mund të ketë gjëra të tjera”, ka deklaruar Kurti.
I pyetur nëse ka ende ëndërr për një bashkim të mundshëm kombëtar me Shqipërinë, Kurti ka deklaruar se nuk heqë dorë nga ëndrrat e tij.
“Askush nuk duhet të heqë dorë nga ëndrrat e tij. Por ju duhet të qëndroni gjithmonë realistë”, ka deklaruar Kurti.
Kujtojmë se sa ka qenë në opozitë, Kurti ishte shprehur kundër flamur të Republikës së Kosovës, duke e cilësuar si “flamur lara-lara”, gjë që kishte nxitur mjaft shumë reagime në opinion.