Pas 5 viteve Kosova pritet të përballet me krizë serioze për mjekë dhe për shërbime shëndetësore

Pas 5 viteve Kosova pritet të përballet me krizë serioze për mjekë dhe për shërbime shëndetësore

Kushtet e punës, politikat shëndetësore dhe mos kalimi i Ligjit të pagave, bënë që në sytë e mjekëve Kosova të duket si vend që nuk ofron mundësi të mëdha në karrierë dhe në aspektin ekonomik.

Sipas Odës së Mjekëve të Kosovës deri më sot shifra e mjekëve që kanë aplikuar për të marr vërtetimin e “pastërtisë etiko-profesionale’’, dokument që ju duhet për punësim në shtetet e BE-së është 173.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu në një intervistë për Gazetën Enigma tha se ky trend i rritjes po thellon krizën për staf shëndetësor. Sipas tyre, arsyet e largimit të mjekëve nga Kosova, kanë të bëjnë me kushtet e këqija të punës, problemet me specializim dhe pagat e ulëta.

Tutje ai ka deklaruar se ‘’kriza serioze për mjekë dhe shërbime shëndetësore do ndihet jo më larg se 5 vjet nga tani’’.

Sipas Sejdiut vetëm gjatë 10 viteve të ardhshme në pension do dalin mbi 1350 mjekë, pritet të largohen rreth 1700 mjekë dhe pritet që mbi 600 të largohen në sektorin privat, kurse fakulteti i mjekësisë do mund të “prodhoj” maksimum 170 mjekë.

Largimin e mjekëve nga Kosova OMK e sheh si fakt shqetësues meqenëse largimi i kuadrove të reja shëndetësore do ta dëmtonte sektorin e shëndetësisë në vendin tonë.

Fakti që në Odën e Mjekëve të Kosovës bëhen kërkesa të shumta për të marrë certifikatën për të kaluarën e pastër etiko-profesionale, sidomos nga mjekët e rinjë, lë hapësirë për shqetësim se këta mjekë do të largohen nga Kosova, me qëllim të punësimit jashtë vendit. Kjo po ndodh pikërisht për shkak të pamundësisë të punësimit në institucionet shëndetësore, pas përfundimit të studimeve dhe specializimit.

Mediat ndërkombëtare shkruajnë për largimin e mjekëve nga Kosova

Për trendin e ikjes së mjekëve nga Kosova ka shkruar edhe Gazeta zvicerane “Blick” e cila ka botuar një lajm ku tregon se qindra mjek çdo vit po largohen nga Kosova.

E arsyet kryesore të largimit janë kushtet e punës dhe pagat.

Gazeta zvicerane tregon se çdo vit nga 200 mjekë largohen prej Kosovës për në vendet e Bashkimit Evropian, kryesisht në Gjermani dhe Austri.

Paga bruto (e pataksuar) e mjekëve në Kosovë është 610 euro, derisa në Gjermani, ata paguhen deri në 4 mijë euro.

Intervista e plotë me kryetarin e Odës së mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiun


Gazeta Enigma: Sa është numri i mjekëve që janë larguar në 2022-tën nga Kosova, dhe sa është numri në përgjithësi në dy, tri vitet e fundit?

Pleurat Sejdiu: OMK gjatë këtyre 4 viteve të monitorimit dhe analizave për arsyet e largimit të mjekëve nga Kosova, përmes sondazheve të vazhdueshme, ka konkluduar se kushtet e punës, kushtet dhe kualiteti i shkollimit specialistik si dhe pagat shumë të vogla janë arsyet kryesore për largimin e tyre.

Deri më sot janë 173 kolegë që kanë marr vërtetimin e “pastërtisë etiko-profesionale, dokument që ju duhet për punësim në shtetet e BE-së.

Gazeta Enigma: Cila është arsyeja kryesore e largimit nga Kosova sipas juve?

Pleurat Sejdiu: Por vet arsyet që i kanë deklaruar kolegët që largohen, janë në të vërtet arsye detyruese për largim.

Gazeta Enigma: Çka duhet të bëj Qeveria e Kosovës në lidhje me këtë çështje, pra për ndalimin e këtij fenomeni?

Pleurat Sejdiu: Deri më tani, së paku zyrtarisht, nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë nuk ka diçka konkrete por ka disa lëvizje të ngadalta në çështjen e ndryshimit të çështjes që kanë të bëjnë me shkollimin specialistik.

Ndërprerja e largimit nuk mund të ndodh sepse ky largim është në masë të madhe, por e gjithë kjo mund t vazhdohet me trend më të vogël dhe me ndërhyrje serioze nga qeveritë respektive, është duke ndodhur në Evropën Juglindore.

Gazeta Enigma:Si do të jetë shëndetësia në Kosovë nëse do të vazhdojë largimi i mjekëve edhe në ditët në vazhdim?

Pleurat Sejdiu:Gjatë 10 viteve të ardhshme në pension do dalin mbi 1350 mjekë, pritet të largohen rreth 1700 mjeë, dhe pritet që mbi 600 të largohen në sektorin privat. Kurse fakulteti i mjekësisë do mund të “prodhoj” maksimumi 170 mjekë. Mund ta bëni vet bilancin. 

Kriza serioze për mjekë dhe shërbime shëndetësore do ndihet jo më larg se 5 vjet nga tani.

Gazeta Enigma: Cila është zgjidhja e këtij problem sipas jush?

Pleurat Sejdiu: Për të zvogëluar numrin e mjekëve që largohen si dhe ndryshimin e këtij trendi, Qeveria duhet urgjent të bëjë investime serioze dhe të shpejta në përmirësimin e kushteve të punës, ngritjen kualitetin dhe përkushtimin e një sistemi të ri të edukimit specialistik, dhe në fund aprovimi dhe implementimi i menjëhershëm i ligjit të pagave.

/Gazeta Enigma/

Related Articles