Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se 25 mijë familje kanë marrë asistencën sociale të dyfishuar për muajin shtator, këtë javë që po lëmë pas.
Ai tha se kjo ishte njëra nga masat e pakos për përballje me inflacionin, që sadopak lehtëson barrën e atyre familjeve që më së shumti kanë nevojë për mbështetjen e shtetit.
Murati shtoi se për të bërë zgjidhje afatgjatë për të rregulluar skemat sociale e pensionale, një reformë gjithëpërfshirëse është e domosdoshme.
“Për këtë, na duhet miratimi në Kuvend i marrëveshjes së nënshkruar me Bankën Botërore, që parasheh reformimin e skemave sociale, dhe krijon regjistrin social e integron sistemet, gjë që hap rrugë edhe për reformën e sistemit pensional”.
Ai tregoi se për herë të tretë kanë dërguar këtë marrëveshje në Kuvend, duke thënë se llogarisin se kësaj radhe do të gjejë mbështetjen e nevojshme të 2/3 të deputetëve për t’u ratifikuar.
“Janë rreth 100 mijë persona përfitues nga skema sociale dhe mbi 200 mijë përfitues të pensioneve të moshës e kontributive të cilët po presin që kjo marrëveshje të kalojë”.