Përdorimi i substancave narkotike ka marrë përmasa shqetësuese në Kosovë. Ato po përdoren dhe po shpërndahen me të madhe, sidomos nga të rinjtë të cilët shpesh kapen në flagrancë nga Policia. Një rast i tillë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në rrugën “Adem Jashari” në Prizren, ku një 19-vjeçar u kap me marihuanë dhe përfundoi në ndalim policor.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Donat Koqin, i cili u ndalua nga Policia nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme, me ç’rast iu gjetën disa paketime me marihuanë dhe një boks i hekurit.
Droga që iu gjet dhe mjetet tjera janë konfiskuar nga Policia si prova për rastin, ndërkohë që i riu është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratë në lidhje me rastin. Burimet thonë se para hetuesve policorë 19-vjeçari e ka pranuar veprën penale, me arsyetimin se është përdorues i narkotikëve, shkruan Sinjali.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurorit i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tij për 48 orë dhe dorëzimin e kallëzimit penal së bashkë me gjësendet e konfiskuara gjatë kontrollit policor.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.