Mijëra qytetarë të besimit Islam në Kosovë, në mëngjesin e së enjtes ua kanë mësyrë xhamive në mbarë vendin për të falur namazin e Fitër Bajramit, festë kjo të cilin e shënojnë myslimanët në mbarë botën, pas përfundimit të Muajit të Ramazanit.
Ceremonia qendrore e faljes së namazit të Fitër Bajramit është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë dhe është drejtuar nga Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava.
Festa e Fitër Bajramit në Kosovë është shënuar nën masat që janë në fuqi për parandalimin dhe luftimin e pandemisë së koronavirusit.
Respektimi i këtyre masave nga besimtarët myslimanë, të cilët festojnë Fitër Bajramin në xhamitë mbarë vendit, është kërkuar që më parë nga Bashkësia Islame e Kosovës.
Myftiu Tërnava, ka theksuar se festa e Fitër Bajramit, ashtu sikurse edhe vitin e kaluar, në Kosovë është pritur duke u përballur me pandeminë COVID-19, e cila ka shkaktuar pasoja të mëdha në të gjitha rrafshet e jetës. Ai ka përkujtuar të gjithë ata që kanë humbur jetën në përballje me sëmundjen COVID-19, ndërkaq që për të infektuarit ka uruar shërim sa më të shpejtë.
Ai i ka ftuar qytetarët e vendit që sot shënojnë festën e Fitër Bajramit, që të jenë të kujdesshëm dhe të vëmendshëm përballë pandemisë së koronavirusit.