Prokuroria Themelore e Gjakovës do të kërkojë paraburgim për dy të dyshuarit për dhunimin e dy të miturave, në dy raste të ndara në Gjakovë.
Policia në raportin e saj 24-orësh ka njoftuar se rastet kanë ndodhur gjatë ditës së djeshme.
Sheremet Elezaj, zëdhënës në policinë rajonale të Gjakovës tha për Gazetën Express se viktimat janë të mitura, ndërsa të dyshuarit të moshës madhore.
“Dje janë arrestuar dy persona të moshës madhore dhe jane iniciuar dy raste të dhunimit. Viktimat janë të mitura, rastet janë në fazën e hetimeve”, tha Elezaj për Gazetën Express.
Ndërsa, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Yllka Juniku-Shehu, tha se ndaj të dyshuarve prokuroria do të parashtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.
“Prokuroria Themelore në Gjakovë, sot do të parashtrojë dy kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit për dy personat e dyshuar, për veprën penale “Dhunimi”, Dy rastet janë raste të ndara, dhe të dyja viktimat janë të mitura, ndërsa dy të dyshuarit janë madhor. Me urdhër të Prokurorit kujdestarë, dy personat gjenden në ndalim për 48 orë”, tha Juniku-Shehu për Gazetën Express.
Policia njoftoi se të miturat janë futur me forcë në veturë ku edhe dyshohet se ka ndodhur akti i dhunimit.
Rasti i parë i dhunimit ka ndodhur dje rreth orës 13:00, ku më pas është arrestuar një i dyshuar.
“Gjakovë 04.10.2022 – 13:00. Viktima femër kosovare ka raportuar se dy persona të dyshuar të maskuar me dhunë e kanë futur në veturën e tyre dhe kanë dhunuar seksualisht. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor. Pas hetimeve të zhvilluara është identifikuar një i dyshuar kosovar dhe i njëjti është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh të PK-së.
Ndërsa, rasti i dytë ka ndodhur pas orës 18:00.
“Gjakovë 04.10.2022 – 18:05. Viktima femër kosovare ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar me dhunë e ka futur në veturën e tij dhe kanë kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, njofton policia.