Opozita pro faljes së gjobave të pandemisë, pozita kundër

Opozita pro faljes së gjobave të pandemisë, pozita kundër

Komisioni për Shëndetësi është duke shqyrtuar projektligjin për faljen e gjobave të vendosura gjatë pandemisë.

Sipas Nol Nushit, përfaqësues i peticionit për dërgimin e këtij projektligji në Kuvend, projektligji është dorëzuar në qershor të 2021, andaj vonesat për shqyrtimin e tij, mund t’i dekurajojë qytetarët për të marrë nisma të tilla në të ardhmen.

Ai tha se deri tani janë 329 mijë gjoba në lidhje me COVID-19 në Kosovë, andaj kërkoi faljen e përgjithshme të qytetarëve që janë gjobitur.

“Ju lus që ta aprovoni faljen e përgjithshme të gjobave.. Shumica e gjobave nuk janë paguar sepse s’ka ekzistuar kushtëzimi i pagesës së këtyre gjobave. Padrejtësia ekziston, ata që s’kanë qenë të kushtëzuar nuk e kanë paguar”, ka thënë Nushi.

Ndërkaq kryetarja e këtij komisioni ka Fatmire Kollqaku, ka thënë se nuk ka kuptim të falen gjobat, pasi sipas saj, kjo do të bënte që qytetarët edhe në situata të tilla në të ardhmen të mos respektonin ligjin, pasi do të shpresonin se mund të falen.

E deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, tha se arritja e këtij projektligji me kaq vonesë në komisionin parlamentar përbën shkelje ligjore.

Haxhiu kërkoi të falen gjobat e qytetarëve, pasi sipas tij janë falur edhe ato të politikanëve.

Burim Meta, deputet i Listës GUXO, tha se falja e gjobave, është  motivim për qytetarët që edhe në të ardhmen të thyejnë rregullat.

“Nuk duhet të mbështeten ata qytetarë që kanë shkelur ligjet. Mendoj se është motivim për këta qytetarë, të thyejnë rregulla të tjera, në të tjera gjendje të tilla të jashtëzakonshme”, ka thënë Meta.

Ndërkaq Shemsedin Dreshaj, deputet i AAK-së, ka mbështetur po ashtu faljen e gjobave për qytetarët e gjobitur gjatë pandemisë.

Është njerëzore të gabosh, por s’është njerëzore të rrezikosh

“Duhet të mbështeten, të falen gjithë ata që janë gjobitur. Kush ka qenë në momentin e gabuar, në vendin e gabuar e ka marrë gjobën”, ka thënë ai.

Related Articles