Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka arritur në Samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC), që po mbahet në Pragë.
Para mediave, Osmani ka thënë se kjo është ditë e rëndësishme për Evropën, ndërsa ka shtuar se nisma e propozuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, trajton barabartë të gjithë pjesëmarrësit.
“Është ditë e rëndësishme për kontinentin tonë. Jam këtu në emër të Republikës së Kosovës, ta përfaqësoj shtetin tim në këtë platformë të re e të rëndësishme. Ka mundësi të barabartë të dëgjohet zëri ynë, idetë dhe veprimet për t’u përballur me këto sfida”.
“Shikoj para të marrë pjesë në këtë mbledhje dhe do të kem edhe takime bilaterale me liderët e Evropës. Ajo që po përballemi është sfidë e madhe, por nëse qëndrojmë të bashkuar, do të jemi në gjendje të kemi sukses”, është shprehur Osmani.
Bashkimi Evropian ka ftuar sot liderët e të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe 17 vende të tjera evropiane, në takimin e parë të Bashkësisë Politike Evropiane, i cili do të mbahet në Pragë.
Ky takim inaugurues do të mbledhë krerë shtetesh nga 44 vende të kontinentit evropian me qëllim të nxitjes së dialogut politik dhe forcimit të bashkëpunimit për t’i adresuar çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë.