Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e djeshme në një nga galeritë private në minierën e Bulqizës.
Sipas policisë lokale të Bulqizës, aksidenti ka ndodhur në Zonën e Parë ku 52-vjeçari i cili punonte si zjarrmëtar ka humbur jetën si pasojë e shpërthimit të lëndës plasëse. Policia ka nisur hetimet për ngjarjen e rëndë.
“Në një subjekt minerar në Bulqizë, dyshohet se gjatë punës, është aksidentuar shtetasi K.L., 52 vjeç, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, sipas policisë.
Kjo nuk është hera e parë që ndodhin aksidente tragjike në minierat e vendit tonë, ndërsa vetëm për vitin 2022 kanë ndërruar jetë në miniera 4 minatorë.
Sipas informacioneve janë mbi 15 të plagosur rëndë gjatë aksidenteve në galeri për 2022-shin.
Kujtojmë se më 22 shtator, ngatërrimi i kavove të dy ashensorëve që shërbejnë për transportin e minatorëve dhe ai i transportimit të kromit rrezikoi jetën e minatorëve të turnit të tretë dhe të pare. Ngjarja ka ndodhur ne minierën e madhe AlbChrome në pusin numër 1. Është dashur ndërhyrja e avari shpëtimit të cilët erdhën me urgjencë nga Tirana për të nxjerrë minatorët.
Ndërsa në korrik, dy raste aksidentesh ndodhën brenda një jave, ku njëri prej tyre rezultoi tragjik. Minatori Maksim Beça u plagos rëndë gjatë punës dhe u dërgua me urgjencë me helikopter në spitalin e Traumës në Tiranë. Por 52-vjeçari me iniciale S.D. nuk arriti t’i mbijetonte plagëve gjatë aksidentit në punë.
Në maj të këtij viti minatori Besim Toska u plagos rëndë në këmbë ndërsa punonte në minierë. Ai punonte si manovrues vagonash dhe me makinerinë lapatë-ngarkuese të vagonëve.
Gjithashtu po këtë vit, në muajin mars ndërruan jetë dy minatorë, ndërsa punonin në galerinë e kromit në Tropojë. Ata ishin Adil Dauti, 41 vjeç dhe Afrim Zhutaj, 40 vjeç, të dy banues në Tropojë.