Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e konsideron si shumë të rëndësishëm miratimin e ndryshimit të Ligjit për Kodin Penal të Kosovës dhe ashpërsimin e dënimeve ndaj kryerësve të veprave penale të dhunimit, sulmit seksual dhe dhunës në familje.
Haxhiu, mes tjerash, në një konferencë për media tha se nuk do të ketë zbutje të dënimeve për personat që kryejnë këto vepra penale.
“Një çështje tjetër që e kemi adresuar dhe që konsiderojmë që aktualisht është problem i madh është tek rastet e veprave penale të sulmit seksual dhe dhunës në familje kemi paraparë që kufijtë e zbutjes së dënimeve nuk do të zbatohen në asnjë rast për këto vepra penale”, tha Haxhiu.
Haxhiu, mes tjerash, tha se Kosova nuk ka jetë grash për të humbur prandaj duhet angazhimi maksimal institucional që kryersit e veprave penale si sulm seksual, dhunë seksuale, dhunë në familje të ndëshkohen.
Për personat që shpallen fajtor për veprat penale të dhunimit dhe dhunës në familje, ndryshimet në Kodin Penal parashohin ndalimin e të drejtës për punësim në sektorin publik, marrjen e patentë shoferit e të tjera.