Komisionieri për zgjerim dhe fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, ka thënë se Serbia është pala që ka bërë lëvizje përpara në dialogun me Kosovën, e se Kosova ka pasur lëvizje të njëanshme.
Në prezantim të raportit të Komisionit Evropian për shtetet e Ballkanit Perëndimor, Varhelyi kërkoi më shumë konstruktivitet te Kosova në dialog, ndërsa te Serbia nuk përmendi këtë çështje.
I pyetur nga eurodeputeti, Lukas Mandl, se përse po thuhet që Kosova të bëjë lëvizje në dialog e jo Serbia, Varheliy ka thënë se duhet të angazhohen dy palët, por ka pasur kritika për Kosovën.
“Së fundi kemi parë që Serbia po bën lëvizje para në dialog, po bën lëshime, si çështja e letërnjoftimeve gjatë verës, që ishte përmirësim i rëndësishëm në dialog. Kemi parë veprime të njëanshme nga Qeveria e Kosovës para kësaj. Ajo që është e nevojshme, të dyja palët të angazhohen, pa veprime të njëanshme e dialogu të sjellë më në fund rezultat”, ka thënë Varhelyi.