Gjithçka rreth liberalizimit të vizave, a pritet të merret vendimi përfundimtar të enjten?

Gjithçka rreth liberalizimit të vizave, a pritet të merret vendimi përfundimtar të enjten?

Ashtu edhe siç është paralajmëruar edhe më parë çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, gjatë muajit tetor ka nisur të diskutohet në grupet punuese të Këshillit të BE-së – aty ku janë përfaqësuesit e shteteve anëtare të unionit, shkruan Gazeta Enigma.

12 tetori do të shënohet si ditë historike për Kosovën në Bruksel. Sot pritet që kolegji i komisionarëve të miratoj raportet e progresit për vendet aspiruese për të hyrë në BE.

Këshilli Evropian ka deklaruar se regjimi i vizave për kosovarët duhet hequr, pasi që kushtet e kërkuara tani më janë përmbushur.

Për më shumë se tri vite çështja ka mbetur peng pikërisht në Këshill, ku, deri më tash, ka pasur shtete skeptike për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës, duke argumentuar se “nuk ka ardhur ende koha për një gjë të tillë”.

Grupi punues për vizat në Bruksel, sot dhe nesër do të diskutoj për liberalizimin e vizave mbi këtë raport dhe të ashtuquajturin “Non-Paper”.

Grupi punon për vizat sot dhe nesër, ndërsa të premten më 14 tetor mblidhen ministrat e punëve të brendshme të unionit, më saktësisht Këshilli i Shengenit.

Mbështetje të plotë për liberalizimin e vizave kanë shfaqur dy institucionet tjera të BE-së, që kanë rol në vendimmarrje – Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian.

Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Shqiprim Pula

Në lidhje me këtë çështje Gazeta Enigma ka kontaktuar njohësin e çështjeve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, i cili ka deklaruar se rol të padiskutueshëm kanë ambasadorët e përhershëm të shteteve anëtare të Unionit të cilët do të bëjnë vlerësimin e raportit në tërësi.

‘’Sipas agjendës së planifikuar nga presidenca Çeke, tashmë grupi punues ka pranuar raportin për shqyrtim dhe rekomandimin e Komisionit Evropian, dhe sot e nesër, natyrisht që do të bëj vlerësimin dhe rekomandimin tek Këshilli i UE-së’’, tha Pula.

Tutje ai ka shtuar se pas edhe një votimi nga ana e Parlamentit të UE-së, rikthehet edhe njëherë për vëmendje tek Këshilli që të vazhdohet me nënshkrimin formal dhe publikimin në gazetën zyrtare.

‘’Rol të padiskutueshëm kanë ambasadorët e përhershëm të shteteve anëtare të Unionit të cilët do të bëjnë vlerësimin e raportit në tërësi dhe natyrisht do të shprehin qëndrimin e tyre si përfaqësues të vendeve anëtare për sa i takon kësaj teme’’, tha ai.

‘’Pas edhe një votimi nga ana e Parlamentit të UE-së, rikthehet edhe njëherë për vëmendje tek Këshilli që të vazhdohet me nënshkrimin formal dhe publikimin në gazetën zyrtare përfshi datën e përcaktuar të hyrjes në fuqi, duke nënkuptuar fillimin e mundësive për qarkullim të lirshëm të qytetarëve të Kosovës, drejt zonës Schengen’’, ka deklaruar Pula për Gazetën Enigma

Sipas Pulës thirrja e vonshme e shteteve themeluese për të votuar PRO heqjes së regjimit të vizave nuk krijon asnjë dilemë për zhagitje të mëtejshme.

‘’Konsideruar faktin se që nga 2016-ta e veçanërisht 2018-ta, lidhur me rekomandimin e Komisionit Evropian, shtetet themeluese përkundër rezervave të tyre që kishin, por, jo edhe kundërshtim mbi vlerësimin e Komisionit, atëherë, e sidomos thirrja së voni e shteteve themeluese për të votuar PRO heqjes së regjimit të vizave nuk krijon asnjë dilemë për zhagitje të mëtejshme’’, ka deklaruar Pula.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kurti për liberalizimin e vizave: Ne kemi plotësuar 95 kritere që është 2.5 herë më shumë kritere sesa i plotësuan vendet tona fqinje

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se skepticizmi i disa vendeve anëtare që janë shprehur kundër liberalizimit të vizave për Kosovën nuk ka bazë më.

Sipas tij, Kosova ka plotësuar më shumë kritere se çdo vend i rajonit, ndërsa ka përmirësim edhe në fusha të tjera.

Sipas tij, vetë Bashkimi Evropian, përmes edhe organizmave të tij, është shprehur pro-liberalizimit të vizave.

“Korrikun që shkoi ne shënuam katër vite që kur Komisioni Evropian për herë të dytë rekomandoi liberalizimin e vizave për kosovarët. BE-ja, si projekt e proces më i rëndësishëm historik të paqes dhe prosperitetit që nga Lufta e Dytë Botërore, po ashtu është treguar se është në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën”, tha ai.

Kurti duke rikujtuar kriteret e plotësuara, tha se është shënuar progres edhe në luftimin e korrupsionit dhe sundim të ligjit.

“Ne kemi plotësuar 95 kritere që është 2.5 herë më shumë kritere sesa ato që i plotësuan vendet tona fqinje, kemi përmirësuar imazhin e Kosovës, në shkallë shumë të madhe gjatë vitit që shkoi, jemi ngritur në 17 vende në indeksin për perceptimin e korrupsionit te ‘Transparency International’, policia jonë ka kryer mbi 700 operacione ndaj krimeve ekonomike, korrupsionit dhe krimeve të organizuara, ka arrestuar mbi 2000 mijë persona diku 300 prej tyre zyrtar publik ose shtetëror…varet nga gjithë secili vend anëtar i BE-së që të jap fund skepticizmit për shkak se nuk ka bazë objektive për këtë kundërshtim më”, tha ai.

Këto deklarata Kurti i bëri më 9 tetor në seminarin e 102-të “Rose-Roth” i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me temën “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme”.

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane: Nuk presim që të shtyhet agjenda e liberalizimit të vizave

Rrezarta Krasniqi, kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, ka dhënë shpresë që agjenda e liberalizimit të vizave për kosovarët nuk do të shtyhet.

“Përderisa ekziston ky optimizëm edhe nga ana e shteteve anëtare të BE-së për përkrahjen e Kosovës në liberalizimin e vizave, nuk presim që të shtyhet agjenda e liberalizimit të vizave”, ka thënë ajo

Ajo ka thënë se Kosova duhet ta gëzojë të drejtën e lëvizjes së lirë, pasi ka përmbushur të gjitha kriteret.

“Pritjet tona janë optimiste për sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave. Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për lëvizje të lirë, kjo është konfirmuar tashmë edhe nga organizmat ndërkombëtarë se qytetarët tanë meritojnë lëvizje të lirë në vendet e BE-së. Mbesim me shpresë se padrejtësia në raport me vizat të marrë fund sa më shpejtë për qytetarët tanë”, tha kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane.

Krasniqi ka zbuluar se Komisioni që ajo drejton “është angazhuar vazhdimisht për çështjen e vizave, edhe së fundmi gjatë qëndrimit në Bruksel kemi takuar përfaqësuesit e shumë vendeve të Parlamentit Evropian duke kërkuar mbështetje për lëvizje të lirë”.

Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi

Varhelyi: Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave

Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi ka prezantuar sot raportet e progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa për Kosovën theksoi se vendi ka gëzuar stabilitet politik këtë vit dhe autoritetet vazhdojnë të demonstrojnë zotimin e tyre në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Ai tha se Komisioni Evropian njeh përpjekjet e Kosovës për të fuqizuar demokracinë dhe sundimin e ligjit dhe intensifikimin e luftës kundër krimit dhe korrupsionit.

Varhelyi më tej tha se në periudhën para do të donin të shihnin zbatimin më të shpejtë dhe efektivë të agjendës reformuese drejt BE-së.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon

Von Cramon pyet se çfarë do të bëhet me vizat për Kosovën, kjo është përgjigja e Varhelyit

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka thënë se Kosova ka përmbushur 95 kriteret për liberalizimin e vizave.

Ajo ka thënë se një gjë e tillë është konfirmuar për të kartën herë në vitin 2018 nga Komisioni Evropian.

“Ne kemi parë që në vitin 2018  për të katërtën herë nga Komisioni Evropian është konfirmuar që Kosova ka përmbushur 95 kriteret sa i përket liberalizimit të vizave”, tha Von Cramon.

Ajo ka pyetur se çfarë është e gatshme të bëjë Komisioni Evropian sa i përket dialogut me vendet anëtare për heqjen e vizave.

Kësaj pyetje të Von Cramon, i është përgjigjur Komisionari për Fqinjësinë dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Ai ka thënë se pajtohet me të për të ndërmarrë një hap tutje në këtë proces.

“Pajtohem me ju që duhet të shkojmë një hap tutje në këtë proces. Por siç e kam thënë shumë herë të bindësh nuk nënkupton vetëm hapjen e kutive nga Komisioni Evropian, të bindësh nënkupton që duhet bindur edhe vendet anëtare që duhet të votojnë për këtë”, tha Varhelyi.

Ai shtoi se janë duke punuar me vendet anëtare në këtë aspekt.

“Jemi duke punuar me vendet anëtare, dhe ju kemi referuar dokumenteve që ju përmendet… dhe shpresojmë që edhe me rezultatet e Qeverisë së Kosovës në teren, ne do të mund tu demonstrojmë vendeve tona anëtare që liberalizimi i vizave është një zgjidhje e sigurt”, ka thënë Varhelyi.

Lëvizja e lirë për shtetasit e Kosovës nuk figuron si temë diskutimi.

Njoftimi zyrtar thotë se aty flitet për situatën  e përgjithshme me fokus të veçantë në menaxhimin e kufijve të jashtëm dhe se do vendosen veprime në këtë fushë.

Vendimin final për liberalizim pas kryerjes së procedurave paraprake e merr KE-ja me shumicë të kualifikuar.

/Gazeta Enigma/

Related Articles