Qeveria e Kosovës i ka ndarë 100 euro shtesa të menjëhershme për pensionistët në kuadër të pakos për përballje me inflacionin.
Për këtë Qeveria i ka ndarë mbi 28 milionë euro.
“Në kuadër të Pakos për përballje me Inflacionin, kemi paraparë mbështetje edhe për pensionistët. Pensionistët do të marrin nga 100 euro”, ka thënë Besnik Bislim, zv-kryeministër.
Ky vendim u aprovua edhe nga ministrat e tjerë kështu hyri në fuqi.
Ekonomisti Mustafë Kadrijaj në një përgjigje për Gazetën Enigma, ka deklaruar se 100 eurot e ndara për pensionistët për përballje me inflacionin kjo Qeveri e ka bërë për të arritur qëllimet e veta.
Tutje, Kadrijaj tha se ulja e inflacionit nuk mund të ndodh me këtë kategori sepse ata më shumë do t’i fokusojnë shpenzimet e këtyre mjeteve në barna ose në diçka të ngjashme, por jo tek rritja e aktiviteteve ekonomike
‘’Çdo vendim kur janë në pyetje shtresat sociale, në këtë rast edhe pensionistët është i mirëseardhur por duhet ta ketë të qartë kjo Qeveri se nuk është duke i arritur qëllimet e veta dhe me krijua atë popullaritetin te qytetarët për faktin që çdo vendim është i pa konsultuar me askënd, as me opinionin dhe as me opozitën’’, theksoi Kadrijaj për Enigmën.
‘’Dhe në këtë drejtim nuk do ta arrijnë as qëllimin e mirëqenies, njëherit nuk do ta arrijnë as nivelin e besueshmërisë te qytetari’’, ka deklaruar ai.
Sipas tij zbutja e inflacionit nuk vjen fare në shprehje me këtë lloj vendimi.
‘’Kjo vlerë prej 100 euro nuk ndikon shumë te inflacioni për faktin që shtresa që është rrezikuar siç janë pensionistët, ata më shumë do t’i fokusojnë shpenzimet e këtyre mjeteve tek barnat ose në diçka të ngjashme, por jo tek rritja e aktiviteteve ekonomike dhe ulja e inflacionit për faktin që dihet se cili është fokusi i shpenzimit të kësaj kategorie të mjeteve monetare nga kjo kategori’’, tha ai.
‘’Kështu që në këtë drejtim zbutja e inflacionit nuk vjen fare në shprehje me këtë lloj vendimi’’, ka përfunduar Kadrijaj.
Në lidhje me këtë çështje Gazeta Enigma, ka kontaktuar edhe me deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës Bekim Haxhiun, i cili ndarjen e 100 eurove për pensionistët e ka cilësuar si kthim për ndalesat e mëhershme që kanë ndodhur.
‘’Qeveria ka ulë pensionet nga 120 euro në 100 euro, 240 euro në vit që ua ka marrë me ulje po ua kthen nga 100 euro njëherë në vit’’, tha ai.
Sipas Haxhiut kthimi i këtyre mjeteve nga kjo Qeveri bëhet vetëm për të marrë merita për vete.
‘’Ky vendim nuk konsiderohet mbështetje por kthim i parave që Qeveria Kurti ia ka marrë pensionistëve në fillim të vitit 2020’’, ka deklaruar Haxhiu për Enigmën.
‘’Në fakt janë parat që kanë marrë pensionistët në vitin 2020 si shtesa çdo muaj. Llogarit këtu edhe inflacionin kjo nuk konsiderohet mbështetje por kthim i parave që ua morri pensionisteve Qeveria Kurti në fillim të mandatit’’, ka përfunduar Haxhiu. /GAZETAENIGMA/