Punëtorët e sigurimit të marketeve paguhen për të ofruar siguri e për të respektuar konsumatorët, por jo gjithmonë ndodhë një gjë e tillë. Kjo siç duket nuk ka vlejtur për një punëtor të sigurimit (emër i njohur për redaksinë) të kompanisë “ETC” në Pejë (pika 2) i cili përveç që ka mbajtur armë në kundërshtim me ligjin, ai u “kap” keq edhe me dy fëmijë të moshave 12 e 8-vjeç, të cilët dyshohet se i kërcënoi.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se rasti ka ndodhur të shtunën, në një vend publik, në parkingun e marketit dhe u zbulua falë prezencës së një dëshmitari, zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare. Sipas informacioneve të para, punëtori i dyshuar, në orët e mbrëmjes ka kanosur me armë dy fëmijët për motive ende të panjohura, që i kushtoi me arrestim dhe ndalim policor.
Siç mëson Sinjali, posa ka intervenuar zyrtari policor që ndodhej rastësisht në vendin e ngjarjes, aty kanë dalë edhe njësitë tjera relevante që arritën ta kapnin të dyshuarin, te cili gjatë kontrollit policor iu gjet edhe arma që e posedonte pa autorizim.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratë në lidhje me rastin dhe më pas Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit prej 48 orësh në drejtim të dy veprave penale “Kanosje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll të paautorizuar të armëve”.
Rastin e kanë konfirmuar edhe nga kompania ‘ETC’, por nuk kanë dhënë më shumë detaje me arsyetimin se tash për tash s’kanë informacione.
Shefi i sigurimit, Astrit Nitaj në një prononcim për Sinjalin tha se ka informacione se ka ndodhur një “konflikt me një person”
“Nuk e di saktë. Duhet me shiku me pa se çfarë ka ndodhur. Vetëm sipërfaqësisht jam i njoftuar për rastin. Ka pasur konflikt verbal me një person dhe kurrgjë diçka më shumë. Nuk kom informacione të plota për kërcënimin me armë. Nuk jam në ngjarje as që është ndalu”, tha ai për Sinjalin.
Në anën tjetër, zyrtarja e burimeve njerëzore në këtë kompani, Zana Kastrati ka thënë se e dënojnë një akt të tillë, duke shtuar se nuk mund të japin përgjegjësi për “veprime dhe sjellje individuale” të punëtorëve.
“Si kompani e dënojmë aktin nëse ka ndodh. Ai është punëtor i sigurimit në kompaninë tonë. Punëtorët janë të licencum nga ministria dhe janë të trajnuar për rregullat e etikës dhe moralit. Nuk mundemi me dhënë përgjegjësi për sjelljet dhe veprat individuale që mundet t’i shkaktojë një punëtor, edhe pse është i licencum.”, përfundoi Kastrati.