Rizvanolli mohon transaksionet energjetike me kompanitë serbe: Nga sot tregtimi ndalohet

Rizvanolli mohon transaksionet energjetike me kompanitë serbe: Nga sot tregtimi ndalohet

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka dhënë sqarime lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe, duke thënë se ky vendim vjen si kundërmasë ndaj bllokimit të linjave të transmetimit nga Serbia.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, Rizvanolli ka theksuar se që nga 14 dhjetori i vitit 2020, kur Kosova u bë pjesë e një blloku të pavarur rregullues energjetik me Shqipërinë, Serbia ka bllokuar linjat e transmetimit me Kosovën për alokim komercial dhe tregtim.

Sipas saj, kjo ka shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare dhe ka rrezikuar furnizimin me energji elektrike në raste të caktuara.

Ajo ka përmendur si shembull vitin 2024, kur, si pasojë e bllokimit të linjave, ngarkesa në linjat e tjera, veçanërisht me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, kishte ndikuar në rritjen e çmimeve të kapaciteteve ndërkufitare.

“Rritja e kostos për qytetarët në baza vjetore nga 1 milion euro në mbi 9 milionë gjatë atij viti”, ka deklaruar Rizvanolli.

Ministrja ka përmendur edhe muajin janar të këtij viti, kur sipas saj, bllokimi i linjave kishte rrezikuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike.

Ajo ka thënë se më 14 dhe 20 janar, KOSTT ishte detyruar të aplikonte reduktime të energjisë elektrike në të gjithë Kosovën, për shkak të pamundësisë për të siguruar energji të mjaftueshme.

Rizvanolli ka theksuar se Qeveria, që nga marrja e mandatit në mars të vitit 2021, ka ngritur vazhdimisht këtë çështje në mekanizmat ndërkombëtarë dhe te partnerët ndërkombëtarë, me qëllim të ushtrimit të presionit ndaj Serbisë për lirimin e linjave.

“Ne nuk e duam lirimin e linjave me Serbinë sepse duam të importojmë energji nga Serbia, mirëpo bllokimi i këtyre linjave do të thotë që ato janë të pashfrytëzueshme për ne për tranzit”, ka thënë ajo.

Sipas ministres, ndryshimi kryesor gjatë vitit të fundit është vendimi i Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë, i dhjetorit të vitit 2025, përmes të cilit është konstatuar shkelja e traktatit nga Serbia dhe është kërkuar lirimi i linjave deri më 1 korrik 2026.

Megjithatë, ajo ka thënë se ky vendim nuk është zbatuar, pavarësisht kohës shtesë dhe përpjekjeve përmes Bashkimit Evropian.

Rizvanolli ka bërë të ditur se javën e kaluar i është drejtuar ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, për shqyrtimin e masave tregtare si kundërpërgjigje ndaj Serbisë.

Ajo ka sqaruar gjithashtu se vendimi i ri nuk nënkupton se deri më tani institucionet dhe kompanitë kryesore të energjisë në Kosovë kanë pasur transaksione me kompani serbe.

“Nuk do të thotë që ne deri tani kemi pasur shkëmbime elektrike me Serbinë. KOSTT dhe KEK nuk kanë pasur transaksione me kompani serbe përgjatë qeverisjes sonë”, ka deklaruar Rizvanolli.

Ajo ka shtuar se, sipas informacioneve të siguruara nga KEDS dhe KESCO, as këto dy kompani nuk kanë pasur transaksione me kompani serbe.

“Por kjo nuk ka qenë e ndaluar, nga sot është e ndaluar”, ka theksuar ministrja.

Në fund, Rizvanolli ka nënvizuar se në tregun e energjisë tashmë ka më shumë tregtarë, prandaj Qeveria e ka vlerësuar të nevojshme vendosjen e kësaj ndalese për të parandaluar tregtimin me kompani që kanë lidhje të drejtpërdrejta apo të tërthorta me pronarë serbë.

Related Articles