Si u rikthye debati për Manastirin e Deçanit?

Si u rikthye debati për Manastirin e Deçanit?

Manastiri i Deçanit dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese vazhdon të mbetet njëra nga temat më të diskutuara në Kosovë dhe partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.

Çështja e Manastirit të Deçanit është riaktualizuar së fundmi, me deklaratën e kryeministrit të vendit, Albin Kurtit, në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, ku kishte thënë se është i pari udhëheqës kosovar që nuk u pranua në takim me priftërinjtë ortodoks.

Kurti kishte deklaruar se është kryeministri i parë që nuk pranohet në takim me priftërinjtë ortodoks.

”Neve kemi një vendim të gjykatës kushtetuese dhe disa vendime administrative për këto prona. Unë besoj se kjo çështje do të zgjidhet, mirëpo është me rëndësi që të kemi edhe dialog ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe autoriteteve fetare në Manastirin e Deçanit. Unë jam kryeministri i parë i Republikës i cili nuk pranohet në takim me priftërinjtë ortodoks”, ka thënë Kurti.

Në lidhje me këtë çështje së fundmi ka folur edhe ambasadori i SHBA-së, në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili ka thënë se vendimi për Manastirin e Deçanit, duhet të zbatohet, ashtu siç ka vendosur Gjykata Kushtetuese.

Hovenier ka thënë se vendimi për Manastirin e Deçanit, duhet të zbatohet, ashtu siç ka vendosur Gjykata Kushtetuese.

Ai tha se beson se kjo është një çështje e shtetit ligjor dhe ashtu siç e kanë kërkuar edhe publikisht, ai vendim duhet zbatuar.

”Kjo nuk është diçka që duhet negociuar apo diskutuar në këtë moment, ndodhi, por gjykata vendosi. Në demokraci ju ndiqni vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Hovenier për Radio Kim.

Ambasadori amerikan potencoi se Kosova obligohet edhe nga Pakoja e Ahtisaarit në lidhje me statusin e manastirit.

”Unë isha pjesë e ekipit që ndihmoi në zhvillimin e planit të Ahtisaarit, ne ishim shumë të fokusuar në atë atëherë dhe mbetemi të fokusuar. Shtetet e Bashkuara dhe besoj se mund të flas për partnerët tanë, ndjejnë shumë fuqishëm se Kosova duhet të jetë një vend multietnik, shtet në të cilin të gjithë qytetarët, pavarësisht nga përkatësia etnike, mund të jetojnë në kushte dinjiteti dhe sigurie, po ashtu besojmë se si pjesë e procesit të Ahtisaarit dhe gjërave tjera kemi obligimet e Qeverisë së Kosovës lidhur me statusin e kishës”.

”Ahtisaari i vendosi gjërat dhe Qeveria e Kosovës pastaj i zbaton ligjet që janë vërtet mjaft të forta sa i përket mbrojtjes, kornizës ligjore dhe zonave të veçanta mbrojtëse për kishën dhe statusin e saj”.

Në lidhje me mosvizitën e Kurtit, igumeni i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, për Klan Kosova, ka thënë se arsyeja e vërtet e refuzimit është që i pari i qeverisë kosovare po e refuzon vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Janjiq ka theksuar se nuk mund të miratojë vizitën, pasi deklaratave dhe fushatës së hapur kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pasi kështu po vihet në rrezik manastiri.

”Kryeministri i Kosovës z.Kurti shprehu dëshirën për të vizituar Manastirin e Deçanit vitin e kaluar në maj dhe Dioqeza në deklaratën e saj u përgjigj se në situatën e kundërshtimit të drejtpërdrejtë të zbatimit të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga viti 2016 për tokën e Manastirit të Deçanit nuk ka kushte për të organizuar një vizitë të tillë”.

”Fatkeqësisht, z. Kurti rregullisht i shmanget përdorimit të emrit “Kisha Ortodokse Serbe” e cila njihet me legjislacionin e Kosovës, por arsyeja kryesore është mosrespektimi i vendimit të gjykatës dhe rendit juridik në Kosovë, të drejtave pronësore, lirive dhe identitetit tonë.

”Problemi thelbësor nuk është se ne po e pengojmë dikë që të vijë të vizitojë manastirin tonë si qytetarë dhe turistë, por ne nuk mund ta miratojmë vizitën zyrtare pas një sërë deklaratash të padrejta në të cilat zyrtarët më të lartë të Kosovës haptazi bëjnë fushatë kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese duke e quajtur atë të paligjshëm ose “Vendim të Millosheviqit” dhe duke vënë kështu në rrezik manastirin. Kemi shumë vizitorë nga e gjithë bota por edhe shumë shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria dhe KFOR-i shqiptar së fundmi i është bashkuar kontingjenteve të tjera të KFOR-it në mbrojtjen e Manastirit të Deçanit”.

Igumeni i Manastirit të Deçanit shtoi se politikanët askund në botë nuk lejohen me ligj të ndërhyjnë në një gjyqësor të pavarur.

”Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në vitin 2016 dhe vendimin e mëparshëm të Gjykatës Supreme të Kosovës u diskutuan të gjitha aspektet e çështjes sonë të tokës dhe morën vendim (shumica e gjyqtarëve ishin shqiptarë të Kosovës) që 24 hektarë i takojnë Manastirit. Pra nuk është më vendim i vitit 1997, por vendim i Gjykatës më të lartë të Kosovës nga viti 2016. Ky është një vendim përfundimtar, i cili sipas ligjeve të Kosovës nuk mund të diskutohet. As ne si priftërinj dhe as politikanë nuk kemi të drejtë të cenojmë vendimet gjyqësore të gjykatave ligjore dhe ne iu drejtuam gjykatave të Kosovës duke respektuar plotësisht ligjet dhe të gjitha procedurat e Kosovës. Sidomos politikanët askund në botën demokratike nuk lejohen me ligj të ndërhyjnë në një gjyqësor të pavarur dhe të minojnë zbatimin e vendimeve gjyqësore”.

Ai përmendi se shumë zyrtarë të lartë e kanë vizituar Manastirin e Deçanit, dhe të njëjtit edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk kanë e kanë mohuar vlefshmërinë dhe ligjshmërinë.

”Përderisa kjo sjellje e padrejtë e zyrtarëve kosovarë vazhdon, nuk mendojmë se ka kushte të favorshme për një vizitë normale. Fjala vjen, shumë zyrtarë kosovarë e kanë vizituar Manastirin e Deçanit edhe më parë, por pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, asnjëri prej tyre nuk e ka mohuar vlefshmërinë dhe ligjshmërinë e këtij vendimi”.

Janjiq përmendi se Kurti dhe Osmani janë zyrtarët e parë kosovarë që e kanë kundërshtuar këtë vendim, edhe pse vendimi përkrahet nga vendet e Quintit.

”Fatkeqësisht, kryeministri Kurti dhe zonja Osmani janë zyrtarët e parë kosovarë që e kundërshtuan haptazi ligjshmërinë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese edhe pse vendimi mbështetet plotësisht nga BE/OSBE/EULEX dhe veçanërisht nga ambasadorët e Quintit të vendeve kryesore perëndimore. Kundërshtimi i autoriteteve të Kosovës ndaj këtij vendimi të Gjykatës është i dëmshëm dhe cenon sundimin e ligjit dhe rendit në Kosovë, gjë që u tha edhe nga përfaqësues të politikës së huaj në Kosovë dhe jashtë saj”.

Ai shtoi se janë të gatshëm të presin vizitorët, por që nëse tregojnë respekt ndaj vendimit të gjykatës.

”Ne jemi të gatshëm të mirëpresim çdo vizitor, duke përfshirë edhe zyrtarët e Kosovës nëse tregojnë respekt ndaj vendimit të gjykatës, regjistrojnë tokën tonë në Kadastër ashtu siç kërkohet nga Gjykata dhe respektojnë emrin dhe identitetin tonë. Ne kemi respektuar ligjet dhe gjykatat e Kosovës dhe kemi ndjekur të gjitha procedurat dhe presim që të trajtohemi si qytetarë të barabartë me të drejta të plota”.

”Për Kishën tonë kjo nuk është çështje politike, sepse ne nuk jemi subjekt politik por institucion fetar. Të drejtat tona pronësore, liritë tona fetare dhe emri dhe identiteti ynë duhet të respektohen nga Kosova sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”.

Procesi gjyqësor për çështjen se kujt i takojnë 24 hektarët, ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” apo Manastirit mesjetar të Deçanit, zgjati nga viti 2000 deri në vitin 2016, kur Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të Manastirit.

Në lidhje me këtë vendim kishin reaguar edhe vendet e QUINT-it, në Kosovë; Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kishin kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuse.

Gjatë këtij viti, Kosovën e kanë vizituar edhe përfaqësuesit e organizatës për trashëgimi kulturore Europa Nostra, të cilin kishin rekomanduar që Manastiri që ruhet për 24 orë nga trupat e KFOR-it.

Ndryshe, Manastiri i Deçanit, është ndërtuar në gjysmën e parë të shekullit XIV, nga Stefan Deçanski.

Related Articles