I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor dhe për çështje të tjera, Gabriel Escobar dje ka vizituar Kosovën, ku edhe është takuar me përfaqësuesit e shtetit, Kurtin dhe Osmanin.
Pas takimit me Kurtin dhe Osmanin, Escobar tha se ka kërkuar të shtyhet vendimi i targave edhe për 10 muaj. Mirëpo, i njëjti theksoi se nuk ka marrë zotim nga dy përfaqësuesit e shtetit.
A duhet të marrë garanci Escobar nga Kurti dhe Osmani?
Analisti për çështje ndërkombëtare, Dritro Arifi ka thënë për Gazetën Enigma se qeveria Kurti duhet ta shtyj vendimin për targat pas kërkesës së Escobarit.
“Besoj në princim që duhet të shtyhet për shkak të kërkesës që vjen nga SHBA-ja, e jo nga Bashkimi Evropian, dhe ky është një dallim fundamental”, ka thënë ai.
Nga aspekti strategjik, Arifi thotë se qeveria duhet të rimendohet dy-tre herë dhe sipas tij vendimi duhet të shtyhet për shkak të rrethanave që janë krijuar në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Nga aspekti strategjik duhet të rimendohet dy-tre herë dhe besoj që duhet të shtyhet për shkak të rrethanave që janë krijuar në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe nuk guxojnë ta rrezikojnë sigurinë e rajonit të vendit tonë nëse nuk i kemi partnerët tanë në anën tonë në këtë moment”, ka theksuar ai.
Prandaj, sipas tij “Qeveria Kurti duhet ta pranojë kërkesën, gjithmonë duke e arsyetuar se është vendim strategjik dhe është në bashkëpunim me partnerët tanë strategjik”.
Mes tjerash, ai thekson se në këtë logjikë duhet të jetë edhe argumenti i qeverisë për shtyerjen e afatit.
Ndërsa, nga qeveria i kanë thënë Gazetës Engima se i ndajnë dhe i kuptojnë shqetësimet e emisarit të SHBA-ve.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë se njëkohësisht e kanë për obligim edhe sundimin e ligjit, kushtetutshmërinë dhe vendimet qeveritare.
“Ne i kuptojmë shqetësimet dhe brengat e zëvendës Ndihmës Sekretarin për Çështje Evropiane dhe Euroaziatik edhe përfaqësuesit amerikan për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar dhe i ndajmë po ato me të, sepse siguria e paqja janë vlera dhe interes jetik e i përbashkët”.
“Njëkohësisht, ne kemi për obligim sundimin e ligjit, kushtetutshmërinë, vendimet qeveritare. Njëra nuk bën ta përjashtojë tjetrën. Nuk është data 30 e as 31 tetor sot”, ka thënë Kryeziu.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve serbë që të vazhdojnë me konvertimin e targave në RKS.
Me çfarë ka të bëjë kërkesa për shtyerjen e targave?
Tutje, analisti Arifi ka thënë se kjo kërkesë ka të bëjë me momentumin me të cilin ka qenë Escobar dje në Prishtinë për të kërkuar kohë që të arrihet një marrëveshje e cila sipas tij i hap rrugë marrëveshjes finale.
Pra, sipas tij “kjo është arsyeja e shtyrjes së afatit që mos të krijohen tensione derisa të arrihet deri te disa marrëveshje që mund ta fuqizojnë shtetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”.
Vendimi për targa ishte paraparë të hynte në fuqi më 1 gusht, por u shty për një muaj pas incidenteve armatosura që ndodhën në veri të vendit.
Ndryshe, vendimi i ekzekutivit për targat ka filluar të zbatohet nga 1 shtatori dhe qytetarët serbë kanë kohë deri më 31 tetor t’i rikthejnë targat e tyre të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës. /Gazeta Enigma/.