Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalën e saj me rastin në hapjes së “Javës së viktimave të krimit”, të hënën, ka folur për shtimin e rasteve të dhunimeve seksuale.
Ajo ka theksuar nevojën për luftim efikas e të pakompromis të këtyre krimeve.
“Gjatë muajve të kaluar vendi ynë është tronditur nga shumë histori shokuese të dhunimeve e ngacmimeve seksuale, viktimë e të cilave në disa rate ishin edhe të miturat. Ndonëse vetë fakti se kanë ndodhur këto krime është mjaftueshëm i rëndë për ta alarmuar secilin prej nesh, ajo që e bëri situatën edhe më të rëndë, ishte mungesa e reagimit efektiv të institucioneve në adresim të këtyre veprave penale”, është shprehur Osmani.
Ajo ka bërë thirrje për rol më proaktivë të institucioneve në parandalimin, hetimin, ndjekjen penale e gjykimin më efektiv të veprave penale kundër integritetit personal.
“Në takimet me krerët e institucioneve të drejtësisë, kam adresuar çështjen e dështimeve dhe defekteve sistemike që janë vënë në pah nga analiza dhe vlerësime që janë bërë për vite me radhë”, ka theksuar Osmani.
Osmani, kritika ka pasur edhe për “dënimet e ulëta për dhunuesit”.
Ajo ka thënë se është e rëndësishme që për trajtimin e këtyre rasteve të ngrihen kapacitete profesionale nëpër të gjitha hallkat institucionale.
Ndërkohë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në konferencën hapëse të “Javës për të drejtat e viktimave të krimit”, e mbajtur të hënën, ka thënë se sistemi i drejtësisë në Kosovë mund të bëjë më shumë në trajtimin efikas të viktimave, me theks të veçantë për ato të dhunës në familje, dhunës seksuale dhe viktimat e trafikimit me njerëz.
Hovenier tha se institucionet e drejtësisë ekzistojnë për të siguruar se ka drejtësi dhe se kjo javë jo vetëm që rrit ndërgjegjësimin për viktimat e krimit, por edhe reflektimin mbi përpjekjet e institucioneve për ndërmarrjen e veprimeve që të gjitha viktimat të marrin shërbimet e duhura,.
Ai shtoi se shumë shpesh shfaqen pabarazi dhe abuzime të shumëfishta, pikërisht ndaj këtyre grupeve.
“Fillimisht, ne duhet të jemi në gjendje që t’i dëgjojmë këto viktima, sepse këta pjesëtarë janë caqe të cenimit të krimeve, trafikimit, dhe shpesh nuk jemi të përgatitur t’i dëgjojmë këta persona, pa i dëgjuar, nuk mund t’i ndihmojmë”, ka thënë Hovenier.
Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka thënë se ata mund të jenë të qetë dhe të kënaqur vetëm atëherë kure viktimat trajtohen në mënyrën e duhur.
Ai ka theksuar se gjatë 9 muajve të parë të vitit 2022, Zyra për mbrojtjen dhe ndihmën e viktimave në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ka ofruar ndihmë për 2163 viktima.
Kelmendi ka thënë se si pasojë e shtimit të rasteve të dhunës seksuale, nëpër prokuroritë rajonale kanë caktuar nga një prokuror koordinator për rastet e kësaj natyre.